Shaip Kamberi i diskuton me Besnik Bislimin katër propozimet për pakicat që nuk po ia miraton Beogradi - Gazeta Express
string(102) "shaip-kamberi-i-diskuton-me-besnik-bislimin-kater-propozimet-per-pakicat-qe-nuk-po-ia-miraton-beogradi"

Shaip Kamberi i diskuton me Besnik Bislimin katër propozimet për pakicat që nuk po ia miraton Beogradi

Lajme

Gazeta Express

04/09/2023 20:12

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur në takim deputetin e vetëm shqiptar nga Parlamenti i Serbisë, Shaip Kamberi.

Në këtë takim, siç thuhet në njoftimin dërguar mediave, u diskutua pozita e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët përjetojnë në Luginën e Preshevës.

Lexo Edhe:

“Në vend të krijimit të hapësirës së nevojshme institucionale për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve, Serbia po gjeneron pengesa dhe vështirësi për ta, duke i kufizuar në këtë mënyrë për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në njoftim.

Në takim deputeti Kamberi ka paraqitur 4 propozime që synojnë të krijojnë mekanizma ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Megjithatë, Parlamenti i Serbisë refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë jashtë rendit të ditës.

“Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat, Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave dhe ndryshimin e Rregullores parlamentare”, thuhet në njoftim.

Tutje, ZKM thekson se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi dhe ndërmarrjen e hapave për të adresuar shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 “Poashtu, mbetemi të angazhuar maksimalisht dhe në zgjidhjen e çështjes së licencimit të mjekëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët punojnë në Kosovë”, përfundon njoftimi.