Serwer parashikon nga Prishtina: Zgjedhjet në shtator, bisedimet do të shtyhen, Kosova e ka një rrezik të madh


Gazeta Express
20 Korrik 2019 14:25

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, i tha Zërit të Amerikës se dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj ishte veprim i duhur i tij, që ka hapur rrugën për zgjedhje të reja në Kosovë.

Në një intervistë Serwer tha se zhvillimet pas kësaj dorëheqjeje do të shtyjnë bisedimet me Serbinë dhe Kosova duhet të punojë për të siguruar një pozitë më të mirë në bisedime dhe për të shmangur ndonjë marrëveshje që do të rrezikonte shtetësinë e saj.

Zoti Serwer, si e shihni ju dorëheqjen e zotit Haradinaj?

Daniel Serwer: Ju keni një sistem parlamentar, këto gjëra ndodhin. Ai ka qenë edhe dy herë më përpara në Hagë. Ai e ka bërë gjënë e duhur, sipas meje, duke dhënë dorëheqjen, por është ende pak e paqartë për mua se a po shkon si dëshmitar apo si i dyshuar. Por, këto gjëra ndodhin në sisteme parlamentare dhe ju keni kaluar këtë rrugë edhe më parë. Ju duhet të mbani zgjedhje të reja në shtator dhe është pjesë e politikës normale. Unë isha në një ngjarje kulturore mbrëmë dhe mendoj se Prishtina është shumë e qetë.

A është ftesa për në Hage e lidhur me qëndrimet e tij politike, përkatësisht bisedimet dhe tarifat?

Daniel Serwer: Kam menduar për këtë pyetje, por nuk jam i sigurt se cila është përgjigja e saj. Por nëse dikush ka menduar se do t’i mund qëndrimet politike të zotit Haradinaj duke e dërguar atë në Hagë, ka bërë një gabim të jashtëzakonshëm sepse në dy rastet e kaluara kur ai është dërguar në Hagë, ka fituar politikisht dhe kjo është diçka që unë e pres edhe këtë herë.

Çfarë ndikimi mund të kenë këto zhvillime nëse Kosova shkon në zgjedhje ne procesin e bisedimeve?

Daniel Serwer: Bisedimet duhet të shtyhen edhe për pak kohë, nuk ka diskutim në këtë çështje. Çelësi për të arritur pozitë të mirë në dialog me Serbinë është shkalla e lartë e unitetit dhe aftësia për të ikur nga një marrëveshje e keqe. Kosova nuk ka pasur shkallë të lartë të unitetit dhe nuk ka arritur të ikë nga një marrëveshje e keqe, prandaj nëse zgjedhjet dhe një qeveri e re mund ta përmirësojnë situatën unë do të isha shumë i lumtur, por mendoj se kjo situatë gjithsesi se do të nxisë shtyrje të madhe të bisedimeve

​Zoti Serwer, a krijon kjo hendek në procesin e bisedimeve realisht?

Daniel Serwer: Po, përfundimisht paraqet problem por unë me të vërtetë nuk shoh shumë urgjencë sa u takon bisedimeve. E di që njerëzit këtu në Kosovë e ndjejnë këtë urgjencë. Më kujtohet menjëherë pas luftës njerëzit në Prishtinë thoshin se nuk duan të flasin më kurrë me Serbinë, ndërsa tani më thonë se asgjë e mirë nuk mund të ndodhë këtu deri sa t’i zgjidhim çështjet me Beogradin. Unë as atëherë nuk kam menduar se ju kurrë nuk duhet të flisni më me Beogradin, ndërsa as tash nuk mendoj se gjithçka varet nga bisedimet me Serbinë. Mendoj pra se uniteti dhe ikja nga një marrëveshje e keqe janë çelësi, dhe për këtë do të punoja nëse do të merresha me politikë sot në Kosovë.

Janë përmendur disa nisma për ripërtëritjen e bisedimeve. A besoni që mund të ndodhë diçka e tillë?

Daniel Serwer: Pa dyshim që mund të ndodhë, unë do të thosha se ju duhet të bëni krejt çka duhet të bëni sa u takon bisedimeve dhe të jeni të kënaqur me to, po ashtu Beogradi duhet të jetë i kënaqur. (Aleksandër) Vuçiçi është në një pozitë më të fortë sesa ka qenë ndonjë herë Ramushi, sepse shumica parlamentare e Ramushit është e kufizuar ndërsa e Vuçiçit është shumë e madhe, Vuçiçi pa dyshim është në komandë në Beograd, është një president i zgjedhur nga vota popullore. Hashim Thaçi në anën tjetër nuk është i zgjedhur nga vota popullore ndërsa gjykata Kushtetuese ka vendosur se bisedimet nuk duhet të jenë përgjegjësi e tij por e qeverisë. Pra unë mendoj se ju përballeni me disa disavantazhe në këtë fazë të bisedimeve dhe duhet t’i rregulloni këto gjëra. Më shumë unitet dhe më shumë vendosmëri për të ikur nga një marrëveshje e keqe, do të ishte këshilla ime.

Çka nënkuptoni me marrëveshje të keqe në këtë rast?

Daniel Serwer: Për mua një marrëveshje e keqe përfshin këmbim territoresh, përshin pranimin përmes këmbimit të territoreve se ju nuk mund t’i trajtoni të gjithë qytetarët tuaj në mënyrë të barabartë. Kjo është marrëveshje e keqe sepse ju diskualifikon nga anëtarësimi në Bashkimi Evropian dhe le të mos ketë asnjë dyshim për këtë, nëse ka një ndryshim në kufij, e posaçërisht ndonjë që përfshin Shqipërinë, do të kthejë prapa tërë Ballkanin, pa e përmendur Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë. Prandaj mendoj se duhet të jeni shumë të kujdesshëm në bisedime me Serbinë në këtë fazë. Beogradi dëshiron Serbi më të madhe, ka njerëz në Kosovë që dëshirojnë Shqipëri më të madhe por le të jemi të qartë; Shqipëria më e madhe nënkupton shkatërrimin e shtetit të Kosovës, ndërsa unë jam mbështetës i shtetit të Kosovës.

Te fundit


Kthehu lart