Serwer: Një ide për Samitin e Parisit, BE-ja t’ua japë vizat kosovarëve në këmbim të heqjes së taksës


Gazeta Express
4 Maj 2019 14:27

Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, nuk pret që në takimin e 1 korrikut në Paris të arrihet ndonjë marrëveshje e gjerë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, për ta zhbllokuar dialogun e Brukselit, ai ka një ide se si duhet të ecin gjërat në kryeqendrën e Francës. Sipas tij, BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për kosovarët në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.

Besnik Veliu

Këto deklarata Serwer i ka bërë në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ku ndër të tjera flet edhe për vizitën e Pompeos në Gjermani dhe ndërlidhjen e kësaj vizite, zhvillimet Kosovë-Serbi, Samitin e Berlinit, korrigjimin e kufijve e Federica Mogherinin.

Gazeta Express: Cili është komenti juaj për Samitin e Berlinit? Në pikëpamjen tuaj, cili ishte mesazhi i përgjithshëm që u dha nga Gjermania?

Serwer: Gjermania e bëri të qartë se nuk do të pranojë ndryshimet kufitare. Nga ajo që kam kuptuar unë, edhe Makron e ka bërë të qartë gjithashtu, privatisht.

Gazeta Express: Si e shihni vizitën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, në Berlin dhe takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel ?

Serwer: Mendoj se Sekretari i Shtetit ka shumë gjëra në mendje: Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor, sipas njoftimit zyrtar. Dyshoj se Ballkani Perëndimor do të ketë përparësi.

Gazeta Express: A mendoni se ka një lidhje në mes të kësaj vizite të Sekretarit Pompeo dhe zhvillimeve në Samitin e Berlinit që u mbajt më 29 prill?

Serwer: Ai sigurisht që është i vetëdijshëm për takimin e Berlinit, por nuk mendoj se ajo do të jetë thelbësore në udhëtimin e tij në Berlin.

Gazeta Express: Në lidhje me takimin e Parisit më 1 korrik, a mendoni se ky takim në Francë mund të sjellë ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Serwer: Mendoj se mund të sjellë disa marrëveshje për të zbatuar marrëveshjet të cilat janë arritur deri tani, por nuk e kam bindjen që një marrëveshje më e gjerë mund të arrihet në këtë kohë. Ja një ide: BE-ja duhet t’i heqë vizat për Kosovën në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.

Gazeta Express: Si e shihni rolin e Bashkimit Evropian në gjithë këto zhvillime? A mendoni se Mogherini e ka përjashtuar veten nga të qenët pjesë e rëndësishme e këtyre takimeve në momentin kur lejoi që Thaçi dhe Vuçiq të flasin për ndryshime kufitare?

Serwer: Mogherini është e pasuksesshme dhe pa ndikim, duke e përfunduar mandatin e saj. Mendoj se ajo bëri një gabim të madh duke lejuar që të hapet çështja e ndryshimeve kufitare. Por ideja ka dështuar.

Gazeta Expres: Vuçiç pranoi sot se ideja e tij për ndryshimet kufitare ka dështuar. Cila mund të jetë rruga që mund t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë në një zgjidhje përfundimtare dhe të pranueshme?

Serwer: Normalizimi ndoshta nuk mund të arrijë me një paketë magjike këtë vit, pasi disa prej diplomatëve optimistë kanë shpresuar për këtë. Ai mund të vijë si rezultat i një procesi të gjatë dhe të vështirë. Kjo kërkon një bashkëpunim intensiv dhe kompleks jashtë kufijve./GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart