Profesori amerikan dhe njohësi i rrethanave politike në rajon, Daniel Serwer, ka thënë se reagimet verbale kundër veprimeve të Serbisë s’janë të mjaftueshme. Serwer thotë se Uashingtoni dhe Brukseli e dinë se shteti i Serbisë ka qenë përgjegjës për tenatativën për kryengritje të dhunshme me qëllime politike që njihet si terrorizëm, shkruan Gazeta Express.
Ai ka përmendur edhe deklarimet e presidentes Vjosa Osmani të bëra në CNN për Christiane Amanpour, ku bëhet thirrje për sanksione, meqë nëse tolerohet, Serbia do të mund të përsëris sjellje të njejtë.
Serwer ka potencuar se ngjarja e 24 shkurtit është një prej veprimeve në listën e gjatë të veprimeve të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe thekson se është koha për sanksione serioze.
“Kjo tentativë kryengritjeje është vetëm e fundit në një seri të gjatë përpjekjesh serbe për të destabilizuar situatën në Kosovë. Është koha për të vendosur sanksione serioze”, ka thënë Serwer, shkruan Express.
Ai më poshtë ka listuar edhe ato që sipas tij do të ishin penalizime serioze kundër Serbisë. Serwer ka thënë se duhet të pezullohen fluturimet e Air Serbia në SHBA dhe BE, të ngrihen projektet e Bankës Botërore dhe BERZH në Serbi, SHBA-ja dhe BE-ja të pezullojnë financimin e projekteve ekonomike në Serbi (jo projektet për demokratizim). Ai gjithashtu ka thënë se duhet të ngrihen negociatat me Serbinë për anëtarësim në BE, pezullim i bashkëpunimit ushtarak mes ushtrisë serbe dhe Gardës Kombëtare të Ohajos dhe në fund propozon edhe vendosje të sanksioneve të udhëtimit dhe financiare për individët që kanë urdhëruar dhe mbikëqyrur trajnimin e paraushtarakëve./GazetaExpress/