Serbia synon dështimin e Samitit të Parisit, kushtëzon pjesëmarrjen me heqjen e taksës


Gazeta Express
8 Qershor 2019 13:47

Serbia po synon të dështojë Samitin e Parisit. Këtë e ka deklaruar sot Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, duke thënë se takimi në Francë ka rrezik që të mos mbahet fare, nëse nuk përmirësohen raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke specifikuar heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë.

Kreu i diplomacisë serbe thotë se me siguri Merkel dhe Macron nuk do të lejojnë Haradinajn që  ‘t’i tërheq ata për hunde”.

“Ne gjithashtu nuk do të lejojmë që ata të na tërheqin për hunde”, ka thënë Daçiq, para gazetarëve të shtunën gjatë një takimi me homologen e tij nga Korea e Jugur, Kang Kyung Wha, shkruan N1, transmeton Gazeta Express.

Daçiq thotë se Serbia është e gatshme për arritjen e një kompromisi, por një kompromis që nuk do të jetë në kundërshtim me interesin shtetëror e kombëtar të Serbisë.

Në fund Daçiq shton se Serbia nuk dëshiron që të kthehet në dialog, derisa nuk hiqet taksa.

Për të njëjtën çështje dje ka folur edhe kryeministri Ramush Haradinaj, pas kthimit nga Berlini.

Ai edhe përkundër faktit se nuk ka folur specifikisht ka lënë të kuptohet se takimi në Paris mund të dështojë, por për një gjë të tillë ka thënë se askush nuk mund të drejtojë gishtin nga Kosova.

Ndërsa sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka pasur një telefonatë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me të cilën kanë biseduar rreth dialogut Kosovë-Serbi. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart