Serbia e mban në pëllëmbë dore Maqedoninë - Gazeta Express
string(41) "serbia-e-mban-ne-pellembe-dore-maqedonine"

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 7:00

Serbia e mban në pëllëmbë dore Maqedoninë

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 7:00

Me VLEN-in praktikisht të pafuqishëm në koalicionin qeverisës me VMRO-DPMNE-në, Serbia është bërë thuajse hegjemone politike e kulturore në Maqedoninë e Veriut. Megjithëqë Parlamenti Evropian vjet e kritikoi Qeverinë e Mickoskit për afrinë e saj me projektin e ‘botës serbe’, prania e Serbisë vazhdon të jetë e patrazuar. Nëse vjet midis Shkupit iu dha hapësirë Milorad Dodikut, sivjet shtëpitë botuese nga Serbia do të mbizotërojnë Panairin e Librit. Përtej kësaj, sipas anketimeve të ndryshme, maqedonasit vazhdojnë të jenë fort të lidhur me Serbinë, duke e konsideruar këtë shtet si mikun kryesor të Maqedonisë së Veriut.

21 prill 2026 – Të enjten ngre siparin edicioni i 38-të i Panairit të Librit në Shkup si kryengjarja letrare në Maqedoninë e Veriut.

I shtrirë mes datave 23 dhe 29 prill, programi i panairit përfshin edhe ngjarje, promovime e takime që bëjnë bashkë botues, autorë e lexues.

Por, botuesit nga Serbia sivjet duket se do ta kenë hisen kryesore në panair me gjithsejt 35 shtëpi botuese.

Kjo kuptohet nga fakti se, sipas agjendës së organizatorëve, tashmë është rezervuar pjesëmarrja për gjithsejt 65 shtëpi botuese.

Sipas drejtoreshës së Panairit të Librit në Shkup, Daniela Gligorovska, këto shtëpi botuese do të jenë nën çadrën e Ministrisë serbe të Kulturës.

“Ministria e Kulturës së Serbisë ka qenë e pranishme edhe në panairin e vjetmë. Thirrjet zakonisht dorëzohen përmes ambasadave, kështu që vitin e kaluar dhe sivjet Ministria e Kulturës në Serbi u paraqit”, ka thënë Gligorovska për një medium shqiptar në Shkup.

Nën këmbët e botës serbe

Kjo prani kulturore e Serbisë në Panairin e sivjetmë të Librit duket vetëm si fusnotë në një rrëfim shumë më të gjerë.

Prej vitesh, Serbia është ulur ‘këmbëkryq’ me praninë e saj të nduarnduartë në jetën e shtetit fqinj.

Kur VMRO-DPMNE u rikthye në pushtet më 2024, ajo e mori në koalicion edhe Partinë Demokratike Serbe në Maqedoni.

Kreun e saj, Ivan Stoilković, e emëroi në funksionin e rëndësishëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për marrëdhënie mes bashkësive.

Vjet më 27 janar, me rastin e shënimit të së ashtuquajturës Ditë të Shën Savës, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë pati zënë vend një ngjarje në kufijtë e skandalit.

Midis Shkupit u ftua politikani më kundërthënës serb në rajon, Milorad Dodik.

I njohur për qëndrimet e tij thellësisht antiperëndimore, udhëheqësi i Republikës Serbe zëroi thirrje proruse.

Lexo edhe: Maqedonia e VMRO-DPMNE-së e bën mysafir nderi Dodikun

Brukseli: “Mickoski po e vë në pikëpyetje stabilitetin e shteteve fqinje”

Gjithë ky hapërim i Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë ishte pikasur me shqetësim edhe në Bruksel.

Kështu, rezoluta, e përgatitur nga eurodeputeti austriak Thomas Weitz, vjet shigjetoi vërejtje tejet serioze ndaj qeverisë së Mickoskit.

Një nga shqetësimet kryesore që zuri vend në raport ishte edhe ai për ‘botën serbe’, për të cilën është thënë se po e vë në pikëpyetje sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje.

Në pikën 80 shprehej “shqetësim për projektin e së ashtuquajturës ‘botë serbe’ dhe që disa përfaqësues në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë avokuar dhe promovuar këtë koncept”.

Me këtë rast, Parlamenti Evropian kishte dënuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të Qeverisë në Shkup në takime që kishin qëllim themelimin e sferave të ndikimit që prekin sovranitetin e shteteve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.

Lexo edhe: Raporti i Parlamentit Evropian: ‘Bota serbe’ po përkrahet në Maqedoni

“Konsumim jokritik i gjithçkaje nga Serbia”

Nëse Rusia e Kina përmenden si akterë pas fushatave të dezinformacionit, Serbia, në anën tjetër, është shteti që më së shumti ka përfituar truall në Maqedoni të Veriut.

Propaganda antiperëndimore në këtë shtet thuajse askurrë nuk jepet në rusisht, madje ajo as nuk përkthehet në maqedonisht, por shpërndahet e konsumohet kryesisht në serbisht.

Jo rrallëherë është zëruar edhe shqetësimi se “maqedonasit konsumojnë gjithçka vjen nga Serbia, shpesh në mënyrë jokritike”.

Se këto ndikime tashmë kanë bërë për vete një pjesë të opinionit maqedonas, kjo vihet në pah edhe nga sondazhe të freskëta.

Një i tillë i bërë nga agjencia Indago, që u krye nga 6 deri në 17 tetor të vitit të kaluar, nxori sheshazi sentimentin proserb të një pjese të madhe të shoqërisë maqedonase.

Kjo u vërejt nga fakti që 45 për qind e respodentëve e identifikuan Bullgarinë si armiken më të madhe të Maqedonisë së Veriut, pasuar nga Greqia me 15 për qind dhe Shqipëria me 7 për qind.

Prirjet e larta drejt serbofilisë u dritësuan nga fakti që një pjesë e madhe e respodentëve (40 për qind) e cilësuan Serbinë si miken më të madhe të Maqedonisë së Veriut.

Një flirt që nisi në kohë të Jugosllavisë

Sipas gazetarit Zoran Bojarovski, dashuria e maqedonasve karshi Serbisë, ashtu sikurse edhe rezistenca e tyre ndaj Bullgarisë, ka shpjegim nga disa arsye.

Kjo marrëdhënie, sipas tij, është e ndërliqshme dhe ka anën e vet ‘emocionale’.

Gjatë afër pesë dekadave gjatë të cilave maqedonasit e serbët jetuan nën një shtet të përbashkët, ku ‘ngjitësi’ kryesor ishte vëllazërimi e bashkimi, u krijua një ndjesi afërsie e besimi.

“Matriksi ideologjik i atij shteti, kur bëhet fjalë për Maqedoninë, krijoi një mjedis të mosbesimit të skajshëm kundrejt pjesës tjetër të fqinjëve tanë, veçmas ndaj Bullgarisë dhe Shqipërisë, dhe shfaqte pak konsideratë edhe ndaj Greqisë”, vlerësonte Bojarovski.

Serbia me ndikim të plotë në Maqedoni

Prania gjithnjë e më e dukshme e Serbisë në Maqedoninë e Veriut, dhe përkrahja e saj për qeverinë e drejtuar nga VMRO-DPMNE, është pasqyruar edhe në mediat bullgare.

Në vjeshtën e 2024-s, agjencia bullgare e lajmeve BGNES pati parlajmëruar se Serbia e Vuçiqit i është bashkuar një fushate të fortë antibullgare të nismuar nga qeveria e kryeministrit, Hristjan Mickoski.

Vetë presidenti autokrat serb nuk ishte kursyer nga goditjet në kurriz të Bullgarisë.

Sipas tij, bullgarët janë të pezmatuar për shkak se Serbia është më e pëlqyer në Maqedoninë e Veriut.

“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë diç më mirë sesa që ishin më parë, me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të mirat në histori, kurse bullgarët janë të pezmatuar se ne jemi më të pëlqyer sesa ata në Maqedoninë e Veriut”, kishte thënë Vuçiq në nëntor të vitit 2023 për TV Pink.

Serbia ishte vënë në mbështetje të Maqedonisë së Veriut kur Sofja zyrtare kishte vënë veto në negociatat për anëtarësim në BE.

Në një bisedë për mediumin bullgar ‘Fakti’analisti bullgar Vladimir Vladimirov kishte vlerësuar se Bullgaria tashpërtash nuk gëzon kurrfarë ndikimi në Maqedoninë e Veriut.

“Serbia ka një ndikim të madh në vend”, kishte thënë ai duke veçuar se ky ndikim është edhe në nivelin social, politik dhe ekonomik.

“Partia fituese në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, është mjaft proserbe dhe proruse në orientimin e saj”, kishte thënë Vladimirov. /Nacionale

Advertisement
Advertisement
Advertisement