Serbia e Borkës dhe ajo e Vuçiqit


Gazeta Express
5 Korrik 2019 13:52

Borka Paviçeviq promovonte artin, kulturën kosovare. Serbia e saj ishte kundër fashizmit, primitivizmit. Aleksandër Vuçiq e bën të kundërtën, promovon urrejtjen kundër shqiptarëve. Serbia e tij është Serbia që mohon krimet, që lartëson kriminelët

Imer Mushkolaj

Të mërkurën presidenti i Serbisë mori rolin e prokurorit. Në një konferencë për media në Beograd, ai u shfaq i bindur se e dinte kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin. Aleksandër Vuçiq fajësoi për krimin Florim Ejupin, pavarësisht se prokuroria në Kosovë ende nuk i ka përfunduar hetimet dhe, sipas prokurorit të rastit, deri më tash emri i Ejupit nuk është përmendur asnjëherë nga dëshmitarët dhe as që ka prova për një gjë të tillë.

Por Vuçiq nuk ngurroi që të akuzojë një shqiptar për vrasjen e një serbi, pavarësisht se vetë Ivanoviq ishte në shenjestër të Listës Serbe, madje quhej edhe tradhtar dhe linçohej publikisht nga ky subjekt politik.

Ashtu siç bënte regjimi i Slobodan Milosheviqit dikur, kur “fajtorë kujdestarë” për të gjtha të këqijat ishin shqiptarët, ashtu Vuçiq tash po e drejton gishtin kah Prishtina. Bazuar në gjithë parapavijën e ngjarjes dhe hulumtimet e mediave të pavarura në Serbi, vrasja e Ivanoviqit është politike. Vuçiq, nëse nuk e di se kush mund ta ketë vrarë atë, me siguri mund ta dijë se kush mund të ketë pasur interes ta vrasë.

Ivanoviq publikisht kishte deklaruar disa herë se ndihej i rrezikuar. Madje kishte thënë edhe se mund ta vrasin. I kishte quajtur kriminelë njerëzit që kontrollonin veriun dhe nga vetë Vuçiq kishte kërkuar mbrojtje. Mbrojtje që nuk i ishte ofruar asnjëherë. Dhe tash, një vit e gjysmë pas krimit, Vuçiq gjen “fajtorin”. Natyrisht, shqiptar. Sepse, në mendësinë e Vuçiqit dhe të tjerëve si ai, mjafton të jesh shqiptar dhe automatikisht je fajtor.

* * *

Një bashkëvendëse e Vuçiqit nuk mendonte ai ai. Ajo nuk mendonte as si mentori i tij, Milosheviq. Borka Paviçeviq, e cila nuk rron më, ishte sinonim i një Serbie tjetër. I një Serbie të dekontaminuar nga fashizmi, nga gjuha e urrejtjes, nga primitivizmi.

Ajo drejtonte Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD) në Beograd, një organizatë civile e kulturore që funksionon si një oazë në mjedisin e kontaminuar atje.

Më ka rënë disa herë ta vizitoj, njëherë të jem edhe pjesë e një aktiviteti kulturor në këtë qendër. Më ka rënë edhe ta takoj Borka Paviçeviqin. Një grua e fortë, e pathyeshme, me të cilën mund të bisedoje për gjithçka. Një grua me shpirt të lirë, e cila nuk i gjente fajtorët tek shqiptarët. Përkundrazi, dyert e organizatës së udhëhequr nga ajo ishin gjithnjë të hapura për shqiptarët nga Kosova, të cilët në kryeqytetin serb zor se gjenin vend tjetër që të prezantonin kulturën e tyre, artin e tyre, protestën e tyre.

Ajo iu gëzohej shumë sukseseve të njerëzve nga Kosova, përpiqej t’i promovonte sa më shumë këto suksese. Paviçeviq ndërroi jetë para pak ditësh, duke lënë një zbrazëti të madhe në Beograd, zbrazëtinë që mbushej me dashuri, profesionalizëm e drejtësi, në një shtet që ende nuk ka marrë përsipër as përgjegjësinë morale për mijëra shqiptarë të pafajshëm që i ka vrarë, për mijëra jetë të shkatërruara. Zbrazëtinë që është vështirë të mbushet me përpjekje kundër primitivizmit e urrejtjes, në një vend ku mohohen krimet, ku drejtësia për viktimat nuk është vënë në vend dhe ku lidershipi politik nuk shfaq pikën e dhimbjes për atë që ka ndodhur në Kosovë.

* * *

Qendra e udhëhequr nga Borka Paviçeviq ishte një lloj ambasade e Kosovës në Beograd, në kohën kur Aleksandër Vuçiq dhe të tjerët para tij bënin çmos që ta pengojnë shtetin e ri, integritetin dhe sovranitetin e tij. Vuçiq ka qenë pjesë e regjmit që ka kryer krime të tmerrshme jo vetëm në Kosovë, por kjo nuk e pengon të vazhdojë së përdoruri gjuhë fashiste ndaj shqiptarëve.

Nëpërmjet pjesës dërmuese të mediave që i ka nën kontroll, ai çdo ditë iu servon qytetarëve që i udhëheq të pavërteta për fqinjtë shqiptarë. Ai vë në shënjestër të gjithë ata që nuk mendojnë si ai. I linçon, i fyen. Njësoj ndodhi edhe me politikanen Rada Trajkoviq, e cila është kundështare e tij. njësoj ndodh me mediat opozitare, të cilat atij dhe bashkëpunëtorëve të tij çdo ditë u publikojnë skandale.

Në mesin e atyre që nuk i pëlqente ishte edhe Borka Paviçeviq. Ajo që luftonte me mish e me shpirt për një Serbi ndryshe, për një Serbi tjetër. Për Serbinë që merr përgjegjësinë dhe jep llogari për krimet që ka bërë, për Serbinë që promovon vlera njerëzore, që respekton fqinjët. Për Serbinë qytetare, që duhet të krijojë marrëdhënie zyrtare me Kosovën, duke shkëmbyer edhe ambasadorë. Deri atëherë, “ambasadë” e Kosovës në Beograd mbetet CZKD’ja e Borkës. Deri atëherë, Serbia tjetër duket një utopi. Utopi që bëhet edhe më e vështirë për t’u bërë realitet me ikjen e saj nga kjo botë.

Te fundit


Kthehu lart