Serbët sërish protestojnë në Graçanicë pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte - Gazeta Express
string(85) "serbet-serish-protestojne-ne-gracanice-pas-arrestimit-te-te-dyshuarit-per-krime-lufte"

Serbët sërish protestojnë në Graçanicë pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte

Lajme

Gazeta Express

22/06/2023 12:27

Një grup qytetarësh serbë janë mbledhur në Graçanicë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një pjesëtari të komunitetit serb, nën dyshimet për krime lufte.

Protestues nga radhët e komunitetit serb në Graçanicë kishin paralajmëruar protesta të reja për të enjten duke mohuar dyshimet mbi të arrestuarin. Ata janë mbledhur ara stacionit të policisë në Graçanicë.

Lexo Edhe:

Policia ka njoftuar se ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998- 1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”,  thuhej në komunikatën e e Policisë.

Arrestimi ngjalli reagime të partive politike serbe në Kosovë dhe zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, që bënë thirrje për reagim të komunitetit ndërkombëtar.

Lista Serbe tha në një reagim se “Dragisha Milenkoviç është arrestuar në Graçanicë pa asnjë provë”, dhe se “regjimi i (kryeministrit Albin) Kurtit vazhdon gjuetinë mbi serbët para syve të komunitetit ndërkombëtar, i cili hesht dhe i jep hapësirë Kurtit për të përndjekur serbët, ndërsa EULEX-i pretendon të jetë një institut statistikor”./EO/