Sela kërkon të pamundurën, koalicion të gjërë me Besën dhe Alternativën


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 15:00

Pavarësisht paralajmërimeve të kreut të Besës, Bilall Kasamit, se nuk do të pranonte të shkojë në koalicion parazgjedhorë me Alternativën e Gashit, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela thotë se negociatat me Lëvizjen Besa dhe Alternativën janë në rrugë të mbarë . Sipas Selës po punohet në jetësimin e bllokut të bashkuar parazgjedhor, duke shtuar se deri tani është biseduar vetëm për çështje parimore.

“Atë që e kam thënë publikisht, natyrisht se tani është radha që ta jetësojmë. Jemi në komunikim e sipër mbi variantin për koalicion mes Aleancës, Besës dhe Alternativës dhe jemi në rrugë të mbarë. Kaq mund t’ju them deri tani” deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Harmonizimi i programeve do të bëhet në takimet që do të organizohen në kuadër të subjekteve politike. Sela me ironi thotë se perimetri i bashkëpunimit nuk mund të zgjerohet pasi nuk ekzistojnë subjekte të tjera politike, përcjell Gazeta Express nga Televizioni Alsat.

“Ka kohë akoma. Jemi në fillim për t’i rregulluar gjërat parimisht pastaj flasim për gjëra tjera. Kemi thënë qëndrimin tonë se për çfarë jemi të gatshëm, por me sa e di unë nuk ka subjekte të tjera” tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Nga ana tjetër Lëvizja Besa mohon me çdo kusht pjesëmarrjen në një koalicion bashkë me Alternativën e Afrim Gashit.

Mendimet e liderëve disa herë janë kundërshtuar edhe publikisht, ku Kasami si kundërpërgjigje për kërkesën e Selës që në koalicion të futet edhe Alternativa, ka përmend futjen e partive tjera në koalicion, përfshi këtu edhe PDSH-në e Menduh Thaçit, parti kjo nga e cila doli Aleanca për Shqiptarët.

Kasami ka potencuar në emisionin “Pressing” se sipas sondazheve, Aleanca së bashku me Besën mund të grumbullojnë vota më shumë se BDI.

Sela e pranon një gjë të tillë, por thotë se dëshira e tij që edhe Alternativa të jetë pjesë e koalicionit, ka të bëj me arritjen e një fitore të thellë ndaj BDI-së.

Te fundit


Kthehu lart