Sekretari i AAK’së: LDK dhe VV duan rrëzimin e qeverisë shkaku i problemeve të brendshme të tyre


Gazeta Express
22 Maj 2019 19:26

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka folur për zhvillimet e fundit politike, takimin dy krerëve të opozitës, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit. Ka folur edhe për ligjin e Qeverisë, si dhe reformën shtetërore.

Duke komentuar takimin e fundit të Mustafës dhe Kurtit, Tahiri ka thënë për Telegrafin se prej se është bërë kryeministër Ramush Haradinaj, ka pasur tendenca për ta rrëzuar Qeverinë, dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Është normale në një demokraci edhe ata që janë në pozitë edhe ata që janë në opozitë, si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, të takohen.

Nëse ka një bashkërendim të opozitës për agjenda nacionale edhe për korrigjimin e qeverisjes, ne kemi qenë gjatë në opozitë, 10 vjet dhe roli i opozitës është i pashmangshëm për një qeverisje të mirë nëse kanë kritika të bazuara.

Diskursi për ta rrëzuar Qeverinë ja sot ja nesër është bërë demode, prej kur ka filluar mandatin Qeveria Haradinaj ka ndodhë një gjë e tillë”, tha ai.

Tahiri deklaroi se opozita dhe Qeveria duhet të ballafaqohen për programe dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë ballafaqim për taksën, për dialogun edhe as për ndonjë çështje tjetër me rëndësi.

Koordinatori nacional, theksoi se LDK dhe VV po kërkojnë rrëzimin e Qeverisë për shkak të problemeve të brendshme të tyre.

“Ata duhet të thonë diçka dhe jo ta lavdërojnë Qeverinë, diskursi vjen për shkak të procesit zgjedhor në LDK, problemet që kanë ndodhur në Mitrovicë, janë duke u bartur në një diskurs tjetër, dhe duke kërkuar zgjedhjet parlamentare.

Vetëvendosje ka një krizë të thellë, të brendshme, 12 deputetë e kanë lëshuar partinë. Ata nuk duhet të bëhen bajat, nëse i kanë votat le ta sjellin mocionin dhe ta rrëzojnë qeverinë”, potencoi ai.

Mes tjerash, Tahiri lavdëroi punën e Qeverisë, duke thënë se Qeveria e tanishme ka marrë vendime që nuk kanë mundur të merren që 20-vjet.

“Kjo Qeveri e kaloi ligjin për kryeqytet, për paga, për zyrtarë publikë, për ushtri, kjo qeveri ia tregoj vendin Serbisë. Kjo qeveri ia tregoi botës që dialogu ka qenë farse. Kjo Qeveri i ka thënë troç Vuçiqit se territori i Kosovës nuk mund të preket. Ka kaluar ligjin e Trepçës, çfarë me bërë më shumë”, deklaroi ai.

Në fund, Tahiri  tha se dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje do të ishte më mirë që të deklarohen haptazi se po duan të vijnë në pushtet dhe mos të mundohen ta rrëzojnë Qeverinë sa për funksionalizim. Ai shtoi se mandatin e kanë marrë për ta çuar deri në fund, dhe se për këtë vendosin partnerët e koalicionit qeverisës.

Te fundit


Kthehu lart