Secili laborator i licencuar për të kryer testin e koronavirusit, do të ketë kontrolle të rrepta për çmime - Gazeta Express
string(105) "secili-laborator-i-licencuar-per-te-kryer-testin-e-koronavirusit-do-te-kete-kontrolle-te-rrepta-per-cmime"

Secili laborator i licencuar për të kryer testin e koronavirusit, do të ketë kontrolle të rrepta për çmime

Gazeta Express

11/08/2020 9:45

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mëngjesin e së martës ka pritur në takim kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, dhe drejtorin e këtij institucioni, Sakip Imeri.

Me këtë rast, Zemaj tha se pas licencimit të laboratorëve për kryerjen e analizave për koronavirus, ky proces do të zhvillohet duke respektuar konkurrencën, duke mos lejuar monopol.

Lexo Edhe:

Ai më tej ka shtuar se ky proces do të monitorohet nga institucionet përgjegjëse, duke u siguruar që nuk do të ketë marrëveshje për çmimet e testeve.

Madje ai ka lutur laboratorët e licencuar që të respektojë ligjet në fuqi në mënyrë që të mos vijë deri te sanksionet, duke paralajmëruar edhe marrjen e licencës.

“…pas lëshimit të licencimit për laboratorët për kryerjen e analizave, ky proces do të zhvillohet duke respektuar konkurrencën, për të mos lejuar monopol”.

“Ky proces do të monitorohet nga të gjitha autoritetet vendimmarrëse. Duhet të sigurohemi që nuk do të bëjnë marrëveshje për çmime.

“…I ftoj institucionet e licencuara që t’u përmbahen rregullave, që të evitohen sanksionet deri te marrja e licencave”.

Kurse kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka garantuar Zemajn se janë të gatshëm që ta monitorojnë këtë proces në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët, raporton EO.

“…Do të jemi në gatishmëri ta përcjellim këtë proces. Kemi marrë të gjitha masat nga fillimi i pandemisë”.

“U bëj thirrje institucioneve të licencuara që caktimi i çmimit të bëhet në mënyrë të pavarur, të mos dëmtohen qytetarët”.

Ky takim vjen pas vendimit të Bordit për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore për lejimin e shërbimeve të testimeve për SARS-Cov 2 në ato institucione të cilat i kanë plotësuar kriteret e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë.