Sancho e komenton ndeshjen kundër Kosovës: Ishte çmenduri


Gazeta Express
11 Shtator 2019 11:33

Sulmuesi anësor i Anglisë, Jadon Sancho, e vlerësoi ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës si të çmendur, duke shtuar se golin e tij të parë ia kushtoi gjyshes së tij.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5:3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë, raporton Gazeta Express.

19-vjeçari Sancho u bë lojtari më i ri që shënoi gol për Anglinë që nga një gol i Wayne Rooneyt në vitin 2004. Ai gjithashtu u bë lojtari i parë i lindur në vitin 2000 e më lart që shënoi gol për Anglinë, në atë që ishte paraqitja e tij e tetë për “Tre Luanët”.

“Ishte një vrapim i mirë nga Raheemi, ai më gjeti dhe unë shënova gola. Kjo do të thotë shumë për mua personalisht dhe është një ditë e veçantë për familjen time. Ia dedikoj këto gola gjyshes time, që ishte tifoze e madhe e imja por tani ka ndërruar jetë”, ka thënë Sancho.

“Ishte një ndeshje e çmendur. Jam i lumtur që e shënova golin tim të parë për Anglinë. Por, goli i parë ishte një gabim ynë, por e përmbysëm rezultatin për mrekulli. Mendoj se e nisëm lojën pak ngadalë në pjesën e dytë. Duhet të mësojmë nga kjo”.

Takimi i mbrëmshëm nisi furishëm dhe Kosova kaloi në epërsi falë një gabimi të mbrojtësit anglez Keane. Vedat Muriqi e vodhi topi dhe asistoi te Valon Berisha që shënoi pas 50 sekondave lojë.

Përgjigja e Anglisë ishte e shpejtë me Raheem Sterling që shënoi me kokë në minutën e 7-të.

Anësori i Manchester City pastaj asistoi për Harry Kane, i cili e mposhti Mërgim Vojvodën dhe portierin Arijanet Muric, duke i dhënë epërsinë anglezëve për herë të parë në takim në minutën e 19-të.

Gjërat u vështirësuan për vizitorët, pasi brenda shtatë minutave morën tre gola. Vojvoda shënoi në portën e vet, para se Jordan Sancho të shënonte dy herë në minutat 44’ dhe 45’.

Kombëtarja dardane u rikthye furishëm në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të shpejtë. Valon Berisha me golin e dytë personal e mposhti Jordan Pickfordin në minutën e 49-të, para se Vedat Muriqi të shënonte nga penalltia, të cilën e kishte fituar vetë gjashtë minuta më vonë.

Vendasit kanë mundur ta thellonin epërsinë sikur Harry Kane të shënonte nga penalltia në minutën e 65-të. Por, Muric e lexoi dhe e mbrojti gjuajtjen e sulmuesit anglez.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart