Samsung Galaxy S10 hapet me shenjat e gishtit nga printeri 3D


Gazeta Express
8 Prill 2019 16:28

Viteve të fundit, prodhuesit e telefonave të mençur kanë zhvilluar operacione dhe veçori të avancuara për sigurimin e këtyre pajisjeve, përfshirë lexuesit e shenjave të gishtit, identifikimin e fytyrës dhe mënyra tjera. Sidoqoftë, duket se ende ka mënyra për t’i tejkaluar këto masa të sigurisë.

Një përdorues i telefonit Samsung Galaxy S10 ka treguar përmes një videoje se sensori i këtij telefoni mund të mashtrohet përmes shenjave të gishtit që janë prodhuar me printer 3D.

Ai i ka fotografuar shenjat e gishtit të vet, e ka përpunuar fotografinë në programin Photoshop dhe më pas e ka ndërtuar një strukturë 3D të vijave të gishtit. Pas 13 minutash të printimit, ai arriti ta hapte telefonin me shenjat e gishtit që i kishte vendosur në një xham të vogël.

Një arsye për shqetësim pas këtij zbulimi është se aplikacionet për pagesa dhe aplikacionet e bankave gjithnjë e më tepër po e përdorin identifikimin me shenja të gishtit për t’i zhbllokuar telefonat dhe për të bërë pagesa të ndryshme.

Zbulimi i këtij përdoruesi tregon se teknologjia e këtij telefoni për identifikim të personit përmes shenjave të gishtit mund të keqpërdoret për qëllime të ndryshme, përfshirë krimin financiar.

Kjo nuk është hera e parë që dikush ka arritur ta mashtrojë sensorin e telefonit. Në vitin 2016, policia e kishte përdorur një printer 3D për ta zhbllokuar telefonin e një personi të vrarë, shkruan “Verge”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart