Pas suksesit në emisione si “Taskmaster” dhe “Last One Laughing”, komediani australian Sam Campbell po shndërrohet në një nga figurat më të veçanta të humorit britanik, falë stilit të tij absurd dhe plot surpriza.
34-vjeçari ka marrë tashmë drejtimin e serialit të tij të ri në Channel 4, “Make That Movie”, një projekt i pazakontë që ndërthur humorin absurd me realitetin televiziv. Në serial, Campbell interpreton një version imagjinar të vetes si regjisor arrogant, i cili kërkon ide të çmendura nga publiku për t’i kthyer në filma të vërtetë.
Produksioni është cilësuar si një nga projektet më të pazakonta komike të viteve të fundit, me personazhe ekscentrikë dhe skena surreale që përfshijnë animacione të këmbëve dhe figura me emra të çuditshëm si “Super-Breast”.

Campbell fitoi vëmendje të madhe në Britani pas triumfit në Festivalin e Komedisë në Edinburg në vitin 2022, ndërsa më pas u bë një nga emrat më të komentuar në panelet humoristike televizive. Stili i tij i veçantë kombinon humorin absurd, ironinë dhe reagimet krejtësisht të papritura.
Edhe pse në skenë shpesh duket i çuditshëm dhe i ftohtë, në jetën reale Campbell përshkruhet si më i qetë dhe më i rezervuar. Ai aktualisht ndodhet në Tasmani, ku po pushon pas angazhimeve televizive në Australi.
Regjisori Joe Pelling, bashkëpunëtori i tij në serial, thotë se Campbell nuk e analizon shumë humorin e tij, por udhëhiqet thjesht nga instinkti për atë që është qesharake. Pikërisht kjo qasje e ka kthyer atë në një nga zërat më origjinalë të komedisë moderne. /GazetaExpress/