Salih Zyba me padi ndaj Policisë së Kosovës për rastin kur ishte arrestuar sa ishte drejtor në Prishtinë


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 16:33

Ish-shefi i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Salih Zyba, ka ushtruar padi ndaj Policisë së Kosovës, lidhur me një rast kur ai ishte arrestuar në afërsi të objektit të kësaj komune.

Në padi thuhet se në vitin 2015, Zyba ishte arrestuar nga dy zyrtarë policorë, e të cilët pretendon se kishin ushtruar dhunë të tepruar fizike ndaj tij.

Për dhunën që pretendon se ishte ushtruar ndaj tij gjatë arrestimit, ai ishte ankuar në Policinë e Kosovës, nga e cila sipas padisë, kërkonte që të merrte masa disiplinore ndaj dy policëve.

Por, pasi që Policia e Kosovës kishte refuzuar ankesën e tij dhe se ndaj dy policëve nuk ishin marr masa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, më 14 shtator 2016, kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht në Departamentin për Çështje Administrative të kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo padi është shqyrtuar në seancën e së enjtes, ku mori pjesë vetëm paditësi Zyba, ndërsa nuk ka marr pjesë përfaqësuesi nga Policia e Kosovës, si palë e paditur.

Sipas gjykatëses Arjeta Sadiku, përfaqësuesi i palës së paditur ishte ftuar me rregull, por sipas saj, mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Paditësi Zyba tha se e konsideron shqetësues faktin se pala e paditur nuk ka ardhur në seancë që të ballafaqohet me të dhe që të prezantojë provat që i disponon.

Ai në këto rrethana ka kërkuar nga gjykata që fillimisht sipas detyrës zyrtare, të sigurojë incizimet në rastin kur ai ishte arrestuar në objektin e Komunës së Prishtinës, si dhe deklaratën e personit që kishte qenë me të, e që ishte punëtor i sigurimit.

Zyba tha se kërkon nga gjykata që të marrë provat në të cilat shihet se si ishte trajtuar ai në momentin e arrestimit.

Ndërsa, pas këtij propozimi, gjykatësja Sadiku, ka marrë aktvendim me të cilin ka obliguar  Policinë e Kosovës, që sipas kërkesës së paditësit Zyba, gjykatës t’i dorëzojë si provë incizimin e marrë nga kamerat e sigurisë në Komunën e Prishtinës.

Në seancën e ardhshme, e cila do të mbahet më 17 janar 2020, në orën 10:00, do të ftohen edhe oficerët policorë Veton islami dhe Sami Halimi, si dhe do të sigurohet edhe deklarata e punëtorit të sigurimit që kishte punuar në atë kohë në Komunën e Prishtinës.

Në shkresat e lëndës, thuhet se sipas vendimit të marrë nga komisioni për ankesa në kuadër të Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, sipas detyrës më 31 gusht 2015, kishte filluar hetimet pas lajmit në media, lidhur me arrestimin e zyrtarit komunal Salih Zyba dhe subjekt hetimi kishin qenë dy zyrtarët policorë Sami Hamiti dhe Veton islami, të cilët kishin punuar në Stacionin Policor “Qendra”, në Prishtinë.

Sipas këtij vendimi, Zyba ishte ankuar se këta zyrtarë kishin ushtruar dhunë fizike të tepruar gjatë arrestimit të tij.

Lidhur me këtë, sipas këtij vendimi, thuhet se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Prishtinë, kishte zhvilluar hetime ndaj zyrtarëve policorë Hamiti dhe Islami dhe ata ishin shpallur të pafajshëm për shkelje disiplinore.

Në vendim thuhej se nuk ishte argumentuar se toger Sami Hlimi, së bashku me kolegun e tij, rreshterin Veton Ismali, kishin përdorur forcë të tepruar fizike me rastin e arrestimit të Zybës.

Por, ndryshe pretendonte Zyba, i cili këtë vendim e ka atakuar me anë të padisë, sipas së cilës, ai ka kërkuar që të shqyrtohet edhe njëherë ky vendim nga gjykata, pasi që sipas tij, në nxjerrjen e atij vendimi, nuk ishin respektuar dispozitat e përcaktuara me procedurën administrative.

Ndër të tjerash, Zyba në padi ka thënë se ndaj tij ishte ushtruar dhunë fizike, e që policia nuk ishte treguar profesionale me rastin e konstatimit të kësaj gjendje faktike, duke marrë sipas tij, një vendim të njëanshëm dhe të padrejtë për rastin e tij. /BetimipërDrejtësi

Te fundit


Kthehu lart