Salianji: Rama e di nga sondazhet që nuk qeveris dot, dje ishte "dramë" - Gazeta Express

Salianji: Rama e di nga sondazhet që nuk qeveris dot, dje ishte “dramë”

Gazeta Express

17/05/2019 22:33

Ish deputeti i PD-së Ervin Salianji ka sulmuar kryeministrin Rama duke deklaruar se ditën e djeshme në intervistën e tij përballë gazetarëve në “Opinion”, ai tregoi se ishte “dramë”.

I ftuar në emisionin Zonë e Lirë, Salianji u shpreh se Rama e di përmes sondazheve se e ka humbur prej kohësh shumicën qeverisëse në popull, e kësisoj mundohet të “luajë të fortin” duke thënë se zgjedhjet nuk do të shtyhen

“Rama mbrëmë ishte dramë. Këtë nuk e kam gjykim subjektiv, por po ta shohësh ftohtë në gjuhën e trupit, në mënyrën e komunikimit apo në argumente ishte në një situatë të sikletshme. Dihet që ai në komunikim është mirë, por ka një shqetësim shumë të madh që e tregonte në studio duke qenë agresiv dhe sulmonte. Ishte në një situatë të parehatshme dhe kjo nuk është kot, Rama qeveriste me sondazhe, tani ai është kthyer kundër dhe e shikon që me sondazhe është i rënë. Më ra në sy që gjatë gjithë kohës, njëherë në disa fjali, përpiqej të thoshte se do ketë zgjedhje. Një njeri që nuk është në siklet nuk ka pse thotë se do shkojmë në zgjedhje dhe kjo tregon që nuk ka, edhe ai vetë e di që nuk ka zgjedhje më 30 Qershor. Ai ka edhe komunikime të tjera me një personazh, ka mesazhe me njerëz të botës së krimit. Fakti që ta thonë mediat dhe gazetat më të rëndësishme, si “Bild”, është tjetër gjë. Kur nuk funksionon as morali politik, as institucionet, Rama thërret Prokuroren, në vend që të ndodhi e kundërta. Hajdut është ai që kapet, Rama është kapur si hajdut dhe duhet të kapet”, tha Salianji.