Sahiti: Rezultat negativ, mundësi e mirë për t’i provuar lojtarët - Gazeta Express
string(62) "sahiti-rezultat-negativ-mundesi-e-mire-per-ti-provuar-lojtaret"

Sahiti: Rezultat negativ, mundësi e mirë për t’i provuar lojtarët

Gazeta Express

11/11/2020 18:13

Trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti e ka analizuar humbjen e sotme të “Dardanëve” nga Kombëtarja shqiptare. Ndihmësi i Bernard Challandes thotë se ky është një rezultat negativ për Verdhekaltrit, por shtoi se kjo ishte një mundësi e mirë për t’i provuar lojtarët para ndeshjeve të rëndësishme, atyre zyrtare

Muharrem Sahiti e ka zëvendësuar sot trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes, i cili rezultoi pozitiv me COVID-19, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Dhe, trajneri kosovar ka folur për duelin me Kombëtaren shqiptare, e cila fitoi 2:1 në “Elbasan Arena”.

Trajneri gjilanas e pranon se ky nuk ishte rezultati i dëshiruar, por që shprehet se kjo ishte një ndeshje miqësore dhe një mundësi e mirë për t’i provuar lojtarët para ndeshjeve të rëndësishme, atyre zyrtare.

“Është një rezultat negativ. E nisëm keq, nuk kishim ritëm, nuk kishim intensitet, pa dëshirën për të luajtur dhe kaluam në disavantazh. Në pjesën e dytë u munduam, ishim më mirë, por jo edhe mjaftueshëm për ta ndryshuar rezultatin. Nuk kishim presion. Ua dhamë rastin disa futbollistëve, e shfrytëzuam këtë lojë për ndeshje zyrtare”, deklaroi Sahiti pas ndeshjes për Super Sport.

Ai ka fjalë të mira për kundërshtarin e sotëm.

“Shqipëria është një skuadër jashtëzakonisht e mirë, nuk na dha hapësirë. Nuk krijuam sa duhet. Kombëtarja shqiptare e ka një ekip jashtëzakonisht të mirë”, vazhdoi ai.

Sahiti e ka komentuar edhe paraqitjen e përforcimit të ri në qendër të mbrojtjes, Betim Fazliji.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur, ishte loja e parë për Betim Fazlijin, luajti për herë të parë me këta bashkëlojtarë. Jemi shumë të kënaqur”, nënvizoi Sahiti.

Ai foli edhe për gjendjen e trajnerit Bernard Challandes, i cili rezultoi pozitiv me koronavirus.

“Gjendja e trajnerit është jashtëzakonisht e mirë, nuk ka simptome. Uroj që të rezultojë negativ në testin e radhës dhe të na bashkohet për ndeshjet e ardhshme. U vërejt mungesa e tij edhe sot”, përfundoi Sahiti. /Gazeta Express/