Sa policë morën pjesë në aksionin e Karaçevës? - Gazeta Express
string(45) "sa-police-moren-pjese-ne-aksionin-e-karaceves"

Gazeta Express

24/09/2020 11:13

Sa policë morën pjesë në aksionin e Karaçevës?

Gazeta Express

24/09/2020 11:13

Afro 400 zyrtarë të Policisë së Kosovës, më 18 shtator, kanë zhvilluar një aksion të gjerë në fshatin Karaçevë të Kamenicës dhe në disa lokacione të tjera, ku deri më tani janë ndaluar 33 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, që ndërlidhen kryesisht me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Nga 33 personat e dyshuar, ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit, 12 prej tyre janë zyrtarë policorë.

Lexo Edhe:

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një hetim gati një vjeçar.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, pas një hetimi gati një vjeçar, në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, kanë zhvilluar aksionin në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, nga i cili aksion janë ndaluar 33 persona të dyshuar, përfshirë 12 zyrtarë policorë, për të cilët është kërkuar masa e paraburgimit, të cilën masë edhe e ka aprovuar Gjykata Themelore në Gjilan”, ka thënë Xheladini.

Gjatë këtij aksioni gjithashtu janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, gjedhet e sekuestruara janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Dubravë dhe janë në pritje të procedurave të mëtejme të cilat pritet të përdorën për ushqim në këtë qendër.

“Në aksion kishin qenë të angazhuar rreth 400 policë. Gjedhet e konfiskuara ishin dërguar në Dubravë në prite të procedurave të mëtejme”, thuhet tutje në përgjigjen e zëdhënëses së Prokurorisë në fjalë.

Në fshatin Karaçevë po ashtu janë rrënuar të gjitha objektet në të ciklat ishin zhvilluar veprimtari ilegale, kryesisht ato të bixhozit.

“Gjatë këtij aksioni janë rrënuar të gjitha objektet, në të cilat dyshohet se janë zhvilluar aktivitete kriminale. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me agjencitë tjera të zbatimit të ligjit do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetimore, të cilat përfshijnë intervistimin e të dyshuarve tjerë, dëshmitarëve etj., mirëpo për shkak të integritetit të procesit hetimor, këto veprime në këtë fazë të hetimit nuk mund të bëhen publike”, ka thënë Xheladini për “Betimi për Drejtësi”.

Policia e Kosovës, së bashku me Inspektoratin Policor i Kosovës dhe agjencitë tjera bashkëpunuese, kanë zhvilluar një aksion të gjerë në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit për shkak të organizimit të veprimtarive ilegale në këto vende.