Rusia po përpiqet ta shtojë ndikimin e saj në Afrikë


Gazeta Express
11 Qershor 2019 17:42

Sipas disa dokumenteve, Rusia është duke u përpjekur ta shtojë ndikimin dhe praninë e saj në të paktën 13 shtete në pjesë të ndryshme të Afrikës përmes forcimit të marrëdhënieve me politikanët në pushtet, nënshkrimit të marrëveshjeve ushtarake dhe sjelljes së gjeneratës së re të liderëve.

Misioni për rritjen e ndikimit rus në kontinentin afrikan është duke u udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, biznesmen që jeton në Shën Petërsburg dhe i cili është aleat i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin. Një ndër qëllimet e këtij misioni është largimi i Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës nga ky rajon. Sipas dokumenteve të zbuluara, një qëllim tjetër është edhe shuarja e kryengritjeve pro-perëndimore.

Sipas prokurorit special amerikan, Robert Mueller, Prigozhin, i cili njihet si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të kontratave për furnizim me ushqim me Kremlinin, e kishte zhvilluar një fushatë të gjerë në rrjetet sociale për ta përkrahur fushatën e Donald Trumpit në vitin 2016. Për më tepër, kompania “Wagner”, e cila është kontraktuese ushtarake private që lidhet me Prigozhinin, i ka furnizuar mercenarët në Ukrainë dhe Siri.

Putini kishte shfaqur pak interesim për Afrikën në vitet e para të shekullit të ri, por sanksionet perëndimore të vitit 2014 për aneksimin e Krimesë e kanë shtyrë Moskën të kërkojë partnerë të rinj strategjikë dhe mundësi të reja për tregti.

Përndryshe, Rusia ka prani ushtarake dhe mision për ruajtje të paqes në Republikën Qendrore Afrikane. Ky shtet vlerësohet si vend strategjik dhe zonë ndarëse mes veriut të mbizotëruar nga myslimanët dhe jugut të banuar me shumicë krishtere, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart