Rusia e shqetësuar rreth sanksioneve të reja të Amerikës ndaj Iranit


Gazeta Express
24 Prill 2019 23:48

Rusia është veçanërisht e shqetësuar rreth raundit të ri të sanksioneve amerikane mbi Iranin, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Nën kërcënime për ndëshkime, Washington-i po bën presion ndaj të gjitha shteteve që të ndërprenë me blerjen e naftës së papërpunuar iraniane me qëllim që të dëmtojë ekonominë e Republikës Islamike, thuhet po ashtu në kumtesën e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga Ministria theksojnë se deklaratat amerikane rreth shtrëngimit të sanksioneve të naftës mbi Iranin korrespondojnë me lajmet për vendosjen e një grupi luftues amerikan me aeroplanmbajtëse në Gjirin Persik.

“Në përndjekje të hegjemonisë globale, SHBA jo vetëm që po kërcënon komunitetin ndërkombëtar me masa ndëshkuese ekonomike por gjithashtu në mënyrë të hapur ‘po mpreh shpatën’… Washington po përpiqet që të përmbushë ambiciet gjeopolitike, të cilat janë të dëmshme për mbarë njerëzimin”, thuhet në kumtesë.

Nga Ministria thonë se SHBA ndërmori një hap tjetër kundër Iranit afër përvjetorit të vendimit të Washington it në maj të vitit të kaluar për t’u tërhequr nga Plani i Përbashkët i Veprimit Gjithëpërfshirës (JCPOA), i njohur si marrëveshja bërthamore e Iranit, një marrëveshje e arritur për programin bërthamor iranian në Vjenë më 14 korrik të vitit 2015 mes Iranit, grupit P5+1 dhe Bashkimit Evropian.

“Mirëpo SHBA-të në mënyrë të qartë gabuan në zgjedhjen e mjeteve, duke u vendosur për metodën e shtrëngimit ekonomik, duke i dhënë një goditje kushteve të jetesës së iranianëve të zakonshëm për ta bërë Teheranin një negociues të dëgjueshëm, të gatshëm për çdo transaksion sipas kushteve amerikane”, thuhet në kumtesë, ku gjithashtu theksohet se veprimet e tilla nuk e ngrenë aspak pozitën ndërkombëtare të Amerikës.

“Pjesa tjetër e botës mund të shohë se politika e Washington-it po bëhet gjithnjë e më agresive dhe e pamatur”, qëndron në kumtesë.

Ministria e Jashtme ruse thotë se “vlerësojnë lartë vetëpërmbajtjen e Iranit, i cili nuk u nënshtrohet provokimeve arrogante të SHBA-ve”.

Në kumtesë riafirmohet mbështetja për planin JCPOA dhe u bëhet thirrje “forcave të arsyeshme” të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të marrëveshjes.

Te fundit


Kthehu lart