Rusia dënon një polak me 14 vjet burgim për spiunazh


Gazeta Express
25 Qershor 2019 17:57

Një gjykatë në Moskë e ka dënuar një burrë me shtetësi polake me 14 vjet burgim për shkak të akuzave për spiunazh.

Marian Radzajewski, 42-vjeçar, raportohet se ka qenë duke u mbajtur në paraburgim nga prilli i vitit 2018. Zyrtarët e sigurisë thanë se e kanë kapur atë në kohën kur ishte duke e bërë një përpjekje për marrëveshje që të transportojë në mënyrë të fshehtë pjesë të sistemit raketor “S-300” nga Rusia në Poloni.

Gjykata e Qytetit në Moskë e dënoi Radzajewskin me 14 vjet burgim në burg të sigurisë maksimale. Vendimi u mor në një proces të mbyllur për media, i cili filloi më 10 qershor.

Avokatja e burrit të dënuar polak, Yulia Sorina, tha se mbrojtja e tij planifikon të dorëzojë ankesë ndaj vendimit të gjykatës për dënim me burgim.

Hetuesit rusë besojnë se ai ka vepruar për interesat e një organizate polake që është furnizuesja kryesore e forcave të armatosura të Polonisë dhe të shërbimeve të sigurisë të këtij shteti.

Më herët gjatë këtij viti, një gjykatë ruse e ka dënuar me 14 vjet burgim për spiunazh edhe qytetarin norvegjez, Frode Berg, ndërsa një burrë amerikan është duke iu nënshtruar procesit gjyqësor për të njëjtat akuza, shkruan “Moscoë Times”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart