Rudolf Marku: Trokitjet në derë… (Impresione nga një shfaqje e tragjedisë “Makbeth” në Teatrin Globus) - Gazeta Express
string(96) "rudolf-marku-trokitjet-ne-dere-impresione-nga-nje-shfaqje-e-tragjedise-makbeth-ne-teatrin-globus"

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 14:38

Rudolf Marku: Trokitjet në derë… (Impresione nga një shfaqje e tragjedisë “Makbeth” në Teatrin Globus)

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 14:38

Tragjedia “Macbeth” gjithmonë na ka mahnitur me shumëplanshmërinë e vet, dhe sidomos me gjithçka që nuk kuptohet, por ndjehet..

M’u kujtua kjo  ditën e fundit të Vitit që  kaloi, tek shihja “Macbeth”,-in, në skenen e Teatrit “Globus”, dhe m’u shfaq përnjëherë ai përfytyrimi misterioz që më pushton sa herë që e lexoj veprën Shakespear-iane kur vjen skena e vrasjes së Mbretit Dunkan dhe, më vonë, porositja e vrasjes së Bankos dhe  të birit të tij, Fleance. Në fakt, nuk është skena e vrasjes, as ai monolog i  kalimit të Macbethit nga një njeri që ka ende shkendijen hyjnore të dashurisë dhe të mëshires,  (kur ai është prapë në gjendje të thojë  “the gracious Dunkan” dhe më vonë  “the damnation of his taking off”) – në një monstër vrasës, dhe nuk janë as dhe  vetë tre vrasësit profesionistë- është diçka tjeter-. Janë trokitjet në derë që ndjekin vrasjen e Mbretit Dunkan që më mahnisnin, që më shtinin një frikë të pakuptueshme  adhuruese, por dhe një kurreshtje joshëse të cilën në fillimet e leximeve nuk arrija ta kuptoja nga vinte. Tak-tak. Tak-Tak. Kush është? Kush?…( Macbeth: Who’s there? What ho! Akti i dytë, Skena e dytë; dhe më vonë po në atë vend, prapë Macbeth-Whence is that knocking?). Në skenen e tretë të Aktit të Dytë shfaqet një Portjer i cili brenda një monologu jo shumë të gjatë përsërit 12 herë fjalen- Trokit, troket, trokitje: Here’s a knocking indeed!( Knock) Knock, knock, knock…E prapë më poshtë: Knock.Knock, knock, knock. Who’s there?.)

Lexo Edhe:

Është momenti kur zemra e Macbethit tkurret, ftohet, metamorfizohet; është momenti kur ai duhet të shtiret, të aktojë, të fsheh qëllimin e mrapshtë; është momenti kur Lady Macbeth është quajtur-unsexed- një qënie pa seks, pa gjini, një ish-grua që ka harruar se ka lindur grua; është momenti kur është bërë krimi i tmerrshëm dhe po porositet tek vrasësit profesionistë   krimi tjeter,vrasja e Bankos dhe e të birit të tij: Bota, jeta e zakonshme njerëzore duket sikur për një çast është ndalur; çdo gjë duket sikur ka rënë të flejë ose është e përgjumur, e shushatur; vetë bota duket  gati një botë ireale, një kohë kur të vdekurit mund të dalin dhe të komandojnë të gjallët. Është koha kur  krimi ka pushtet mbi legjitimitetin, mbi pafajësinë; krimi që nuk ndalet para vrasjes  së Mbretit Dunkan (Mbreti Dunkan është mbreti legjitim, është jo vetëm i pafajshëm, por dhe në të drejten e vet; dhe po ashtu dhe miku i dikurshëm i Macbethit, Banko, dhe i biri, Fleance, -sidomos ky i fundit-që eshtë vetë përsonifikimi i pafajësisë). Po të flasim me gjuhën moderne, është koha për të vrarë, është koha e shtirakëve, është koha e krimit në pushtet, është koha e urdhërave për vrasje ( Macbethi, menjeherë pas vrasjes së Mbretit Dunkan, i porositë dhe i urdhëron vetë, personalisht,  vrasësit për vrasjen e Bankos dhe të Fleance-t, po aq lehtësisht sa ç’mund të porosiste on  line njeriu modern një pica); është koha e  joshjeve për të falsifikuar, për të qënë një njeri tjetër nga ai që je në të vërtetë; është koha e vrasjesve-nuk kanë rëndësi dhe aq mjetet- me thikë, me shpifje, me denigrime, me fushata, me manipulime, me kallashnikov….Nuk ka rëndësi – të djathtë, të majtë, të qendrës. Shakespear, për fatin tone të keq,  nuk na jep asnjë informacion për këtë….  Pikërisht kur dhe spektatorët shqiptar do të fillonin të hamendësonin pozicionin majtas a djathtas të Macbethit, pikërisht në këtë kohë fillojnë dhe  trokitjet: Tak- Tak,Tak-Tak. Kush është? Kush? (Kadare është shkrimtari i vetëm shqiptar që e ka përdorur tensionin e trokitjeve Macbethiane, përshtatur mjeshtërisht në veprën e vet).

 Çfarë duan këto trokitje? Cili është kuptimi i tyre? Trokitja në derë në shfaqjen e Macbethit  në Teatrin Globus është një trokitje e lehtë, por që ndjehet më qartë se gjëmimi i një rrufeje, sepse është një trokitje që vjen papritur pas një heshtjeje  të çuditshme, mistike, të frikëshme, diç-ndjellëse (po që askush nuk e di se çfarë është ajo që ndjell)…Tak-tak. Kush është? …Vetë trokitjet në derë paralajmërohen nga një  sens hataje dhe njëkohësisht solemniteti… Përnjëherë pas krimit që është kryer dhe pas porosisë së krimit që do të kryhet ndodhë ajo pauzë e shkurtë,  plot enigmë, që i mban shpirtat e shikuesve si të varur në një çengel  hutimi, shprese (Shpresë? Çfarë shprese?).

 Gjenialiteti i bardit të Madh e di se një krim gjykohet nga normaliteti i jetës, edhe atëherë kur nuk duket asnjë gjurmë e normalitetit. Ai e di  se shkendija hyjnore është e shpërndarë tek të gjithë qeniet njerëzore. Ai na paralajmëron se vrasja nuk bëhet vetëm me thikën e Macbethit.  Vrasja dhe vrasësit në të kundërt janë antinatyra – xhelozitë, mospranimi i tjetri, anilihimi i tjetrit, mundësisht i miqve të dikurshëm, lakmia për të marr çdo gjë që u takon të tjerëve, mashtrimi  për të fituar lavdi të pameritueshme me anë të kompleksit të mëshirës, shtirja si hero burgjesh nga askushi i dikurshëm i burgjeve, apo biri që glorifikon babain spiun banal të provincës banale, falsifikimi i shkrimeve pa vlerë që i shkruan në darkë dhe në ditën e nesërme i shet si dorëshkrime burgjesh- gjithmonë në shoqërinë e një Lady Macbethi të pamunguar kurrë; urrejtja, ambicia, hakmarrja, mpirja e kujtesës-dhe, do të shtonim- njohja e varfërisë së  tjetrit pa të bërë syri terx, lavdërimi  spekulativ dhe i kalkuluar i gangsterit politik, eksodi i njerëzve të pashpresë, vrasja e vetë shpresës, manipulimi dhe tallja me pritshmërinë e asaj që në të vërtetë nuk do të vijë kurrë. Dhe, menjëherë pas krimit, ja ku vjen dhe trokitja. Tak-tak.

Një trokitje që sikur vjen nga thellësitë e Ferrit, thotë portieri që sjellë çelësat e Portës. Është ajo trokitje e vetëdijes që dukej sikur nuk ekzistonte, e asaj vetëdijës që duket sikur është asgjësuar. Është pulsimi i jetes, është pulsimi i normalitetit, është pulsimi i legjitimitetit, është pulsimi i frymëmarrjes së Mbretit Dunkan pas vdekjes së pabesë, por është dhe pulsimi i asaj shkëndijës hyjnore që është shpërndarë tek qeniet njerëzore, përmes zemrës, përmes Mirësisë, përmes së Bukures, përmes Artit, përmes librave që shkruhen, përmes forcës së dashurisë që kokëfortësisht nuk pranon që të japë frymë…Trokitja është pauza për të na kujtuar se gjithmonë jo larg nga skena e krimit është pafajësia, është e bukura që e gjykon krimin; jo larg nga falsifikatorë Macbethian dhe mediokër që marrin çdo çmim të mundshëm dhe çdo titull të mundshëm,- jo vetem titullin e Mbretit-  pa patur as dhe një lexues të vetëm, por janë shkrimtarët dhe poetët normal që shkruajnë poezitë dhe romanet normal pa menduar për titujt dhe hosanatë, aq të dëshpëruar prej manipulatorëve mediokër!..

Tak- Tak. Kush është? Ajo trokitje të cilën e dëgjojmë çdo ditë në jetën tonë të përditshme, duke na ftuar mirësisht që ta deshifrojmë.

Ja, këto janë disa nga mendimet që më erdhën në kokë ditën e fundit të Vitit që kaloi, tek dilja nga Tetari “Globus” – buzë Tamizit që vazhdon të rrjedh qetësisht, derisa ne të mbarojmë këngën tonë!/Exlibris