Rudari kërkon t'u hiqet karantina katundeve të Podujevës, pacientja e fundit me COVID-19 drejt shërimit - Gazeta Express
string(101) "rudari-kerkon-tu-hiqet-karantina-katundeve-te-podujeves-pacientja-e-fundit-me-covid-19-drejt-sherimit"

Rudari kërkon t’u hiqet karantina katundeve të Podujevës, pacientja e fundit me COVID-19 drejt shërimit

Gazeta Express

07/04/2020 12:48

Në Komunën e Podujevës nuk është konfirmuar asnjë rast i ri me koronavirus që nga 28 marsi. Atje, aktualisht është vetëm një paciente e infektuar, por sipas mjekëve edhe ajo po shkon drejt shërimit. Ajo do të testohet sot dhe nesër dhe varësisht nga rezultatet do të dihet nëse është shëruar apo jo. Pacientja në fjalë është vajza e viktimës së parë nga koronavirusi në Kosovë, raporton Express.

Detaje rreth gjendjes në këtë komunë ka dhënë specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent.

Lexo Edhe:

Rama i ka thënë Gazetës Express se dje gjatë ditës e kanë përcjellë një mostër për në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, por ende nuk kanë ndonjë konfirmim për rezultatin.

Ajo ka treguar se sot do të merret mostra e pacientes së infektuar nga Bradashi dhe varësisht nga rezultati do të dihet nëse është shëruar apo jo. Nëse në testimin e sotëm rezulton negativ, ajo do të testohet sërish nesër.

“Prej 28 marsit nuk kemi ndonjë rast të ri. Dje i kemi përcjellë mostrat për një person, por ende nuk kemi ndonjë konfirmim se a ka dal pozitiv apo negative. Sot i kemi përcjellë mostrat të të infektuarës nga Bradashi, pra vajzës së personit që ka vdekur nga koronavirusi. Nëse rezultatet sot dalin negative, atëherë përcjellen mostrat edhe nesër dhe nëse prapë dalin negative, atëherë i bie që pacientja ëhstë shëruar”, ka deklaruar Rama.

Sipas saj, gjendja e pacientes dhe asnjë prej familjarëve të saj nuk ka simptoma të koronavirusit.

“Gjendja e saj dhe vëllait të saj në Dumnicë është e mirë. Jemi duke e përcjellë edhe gjendjen e familjarëve të tjerë, por të gjithë janë shumë mirë dhe nuk kanë asnjë simptomë. Sipas mendimit tim, ka kalu rreziku tashmë për anëtarët e familjes”, ka thënë Rama për Express.

Kërkesë e kësaj komune është që fshatrat të lirohen nga karantina.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari i ka thënë Gazetës Express se gjendjen e kanë nën kontroll, derisa ka përsëritur kërkesën e tij për fshatrat që janë në karantinë.

“Sot e mbajtëm mbledhjen e shtabit dhe diskutuam për gjendjen. Gjendja është nën menaxhim. Po bëjmë sërish apel te Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë që të zëvendësojë masën e karantinës me masë të vetëizolimit. Sot do të testohet edhe pacientja nga Bradashi dhe nëse rezulton negative, kjo është dëshmi edhe më e fortë që fshatrat e Podujevës të dalin nga karantina”, ka thënë Rudari për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 20 raste të reja me koronavirus. Me këto shifra, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 165. Deri tani, nga koronavirusi janë shëruar 24 persona.

“Sot më 06.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 129 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, njëzet (20) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHP-së, rastet pozitive janë raste kontakti nga Malisheva, Suhareka, Drenasi dhe Prishtina.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë – Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, ka njoftuar IKSHP-ja.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. /Gazeta Express