“Ruajini 222 mln euro!” – Nuk ka vend për Neymarin e Hazardin në të njëjtin ekip


Gazeta Express
20 Gusht 2019 9:33

“Los Blancos” janë duke tentuar ta transferojë yllin e Paris Saint-Germainit që po e kërkon me ngulm largimin – por si do të përshtatej ai në “Santiago Bernabeu”?

Humbja e garave për transferime kundër Real Madridit gjithmonë e ka lënë Barcelonën të zemëruar. Katalonasit ende i fajësojnë “manovrat e çuditshme federative dhe mbështetjen e Francos” për dështimin e tyre në garën kundër rivalëve të vjetër për blerjen e Alfredo Di Stefanos në vitin 1953, shkruan Goal, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë, Luis Figo nuk është falur kurrë për shkëmbimin e “Camp Nous” me “Santiago Bernabeu” në verën e vitit 2000. Blaugranët nuk e lejuar portugezin e pensionuar t’i përfaqësojë ata as në një ndeshje të legjendave të organizuar nga UEFA para finales së vitit 2015 në Ligën e Kampionëve, në Berlin.

Për shkak të kësaj, transferimi i superyllit të Paris Saint-Germainit, Neymarit, në Real Madrid e jo në Barcelonë do të ishte një goditje e madhe për katalonasit.

“Do të na lëndonte nëse Neymari do të shkonte te rivali ynë i përjetshëm, veçanërisht pasi ai luan për ne”, u shpreh mesfushori Carles Alena në fillim të këtij muaji.

Emri i brazilianit u brohorit nga disa tifozë para fillimit të ndeshjes hapëse të sezonit të ri të La Ligës, kundër Athletic Bilbaos, të premten në mbrëmje.

Mirëpo, presidentit Josep Maria Bartomeu nuk iu nevojit kjo mbështetje e tifozëve për t’i bindur. Ai ka qenë njeriu kryesor që po i drejton tentimet e klubit për ta kthyer futbollistin që i braktisi ata në mënyrë tronditëse para dy vjetëve.

Ato plagë janë ende të hapura dhe paditë ligjore ende po vazhdojmë. Megjithatë, Bartomeu dhe shumica e tifozëve e dëshirojnë kthimin e Neymarit e edhe Neymari dëshiron të kthehet.

Ka vetëm një problem: PSG-ja është e gatshme t’ia shesë brazilianin kujtdo përpos Barcelonës. Transferimi i Neymarit që theu rekordin botëror për shumën më të lartë të paguar ndonjëherë për ndonjë futbollist i prishi marrëdhëniet mes dy klubeve. Ata nuk i besojnë njëri-tjetrit më.

Edhe disa pengesa të tjera janë në rrugën e Neymarit drejt kthimit në Barcelonë. Nga e gjitha kjo situatë po tenton të përfitojë Real Madridi. Neymari jo vetëm që është shumë i talentuar, por transferimi i tij në Real Madrid edhe do ta zemëronte jashtëzakonisht shumë Barcelonën.

Megjithatë, a ka kuptim për Real Madridin në aspektin sportiv dhe atë financiar ky transferim?

Real Madridi ka nevojë për përforcime në repartin e mesfushës dhe jo në fazën e sulmit – e veçanërisht jo në pozitën e preferuar të Neymarit, në krahun e majtë, ku pritet të luajë Eden Hazardi sapo të rikuperohet nga lëndimi i tij i vogël.

Zidane ka qenë një adhurues i madh i Hazardit që një kohë të gjatë. Që nga viti 2009, ai kishte tentuar ta bindë Florentino Perezin ta transferojë belgun. Do të ishte e çuditshme nëse tani që e ka blerë Hazardin nga Chelsea, për 100 milionë euro, t’ia ndërrojë atij pozitën për t’i bërë vend Neymarit.

Për më tepër, në skuadrën e Zidane janë edhe Vinicius Junior, Gareth Bale e Luka Jovic, i cili gjithashtu u transferua këtë verë për 70 milionë euro. Për këtë arsye, transferimi i Neymarit në Madrid duket një rrezik i madh për Real Madridin.

Megjithatë, transferimi i Neymarit mund t’u shkaktojë madrilenëve probleme edhe në aspektin financiar, për shkak dënimeve të mundshme nga UEFA. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart