Rrustem Mustafa këshilltar i Hashim Thaçit – ky është lajmi që doli nga AKK-ja e jo pasuria e tij


Gazeta Express
7 Qershor 2019 11:54

Edhe Rrustem Mustafa e ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Antikorrupsion. Këtë e ka bërë në cilësinë e këshilltarit politik të presidentit Thaçi. Fakti që ai punon për presidentin është bërë lajm më shumë se pasuria e tij, pasi pothuaj askush nuk e ka ditur që ai është duke punuar në Zyrën e Presidentit, raporton Express.

Mustafa në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka një shtëpi e cila vlen 500 mijë euro, e që ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2006. Përveç shtëpisë ai ka edhe një truall të cilin thotë ta ketë blerë, e që kushton tetë mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, këshilltari i Presidentit ka deklaruar një veturë që thotë se kushton 20 mijë euro, e të cilën e ka blerë para 3 vitesh.

Familja Mustafa po del të kenë shuma të mëdha të parave “cash”. Vetëm Mustafa ka rreth 11 mijë euro para të gatshme në banka. Gruaja e Mustafës ka 16 mijë euro, derisa fëmijët e tij kanë 63 mijë euro para “cash” nëpër institucionet financiare në vend.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 18 mijë euro, të cilat nga Presidenca, dhe 445 është shuma e parave që bashkëshortja e Mustafës merr çdo muaj nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndryshe, emërimi i Mustafës si këshilltar i Presidentit Thaçi është bërë i ditur vetëm përmes këtij deklarimi. Remi është emëruar në këtë pozitë një muaj pasi ishte intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart