Rrugët që prishën festën: Dy të vdekur e dhjetëra të lënduar në katër aksidente në ditë Bajrami - Gazeta Express
string(94) "rruget-qe-prishen-festen-dy-te-vdekur-e-dhjetera-te-lenduar-ne-kater-aksidente-ne-dite-bajrami"

Rrugët që prishën festën: Dy të vdekur e dhjetëra të lënduar në katër aksidente në ditë Bajrami

Lajme

Gazeta Express

02/05/2022 22:35

Myslimanët në mbarë botën festuan sot ditën e Bajramit të Fitrit. Në Kosovë, përveç festimeve dita ishte e mbushur me aksidente, ku humbën jetën dy persona dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Një nënë e dy fëmijëve dhe djali i saj shtatë vjeçar nga Skenderaj vdiqën sot në një aksident të ndodhur në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit. Tre persona të tjerë janë lënduar në këtë aksident dhe janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas policisë, rasti kishte ndodhur rreth orës 14:00.

Lexo Edhe:

“Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime”, tha për Express zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Po në Drenas sot ka ndodhur edhe një aksident tjetër trafiku ku janë përfshirë pesë makina dhe janë lënduar 10 persona.

Rasti ka ndodhur në fshatin Abri, më saktësisht në vendin e quajtur Garrapole në orën 15:00.

“Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë pesë automjete dhe për pasojë dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, përderisa janë shkaktuar dhe dëme materiale”, konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ndërkohë shtatë persona të tjerë janë lënduar në një aksident tjetër trafiku që ndodhi në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Sipas policisë në aksident janë përfshirë dy vetura.

“Informacionet e para bëjnë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura, ndërkaq shtatë persona janë lënduar, të cilët janë dërguar në qendrat më të afërta mjekësore si dhe në QKUK – Prishtinë, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Borovci.

Ndërkohë në mesditë tre persona kishin kërkuar ndihmë shëndetësore pasi u lënduan në aksident.

Rasti kishte ndodhur në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Stanovicë.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Një aksident trafiku me të lënduar është shkaktuar rreth orës 12:00, në rrugë nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në segmenti rrugorë në fshatin Stanovcë. Në aksident janë  përfshirë dy automjete, si pasojë e aksidentit dhe lëndimeve të pësuara tre persona kanë kërkuar tretman mjekësor”, tha Zahiti.