Rrjedhja e informacioneve nga Ministria, Specialja e fton edhe Abelard Tahirin?


load
Gazeta Express
16 Tetor 2019 14:15

I ftuari i fundit i Gjykatës Speciale po raportohet të jetë ministri në Detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Vetë Tahiri që nuk ka qenë pjesë e luftës nuk e ka mohuar se ka marrë ftesë, shkruan Gazeta Express.

I njëjti shkurtimisht është deklaruar se momentalisht nuk mund të flasë asgjë për këtë punë.

“Nuk mund të flas një herë asgjë për këtë punë”, ka thënë ai për Lajmi.net.

Express ka provuar kontaktin me Tahirin, mirëpo nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Tahiri, megjithatë, nuk është i vetmi zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë që është ftuar para prokurorëve të Gjykatës Speciale.

Në gusht të këtij viti, Gazeta Express pati raportuar për një të ftuar tjetër, zyrtar të kësaj Ministrie që u pat bërë lajm nëpër media për faktin se në kohë të luftës kishte qenë vetëm 8 vjeç.

Burime të Gazetës Express kishin bërë me dije se Berisha që punon në Zyrën për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë nga Gjykata Speciale, nuk dyshohet për ndonjë “krim” në luftë, por është marrë në pyetje për shkak të dyshimeve se ka nxjerrë informacione sensitive nga zyra.

Zyra për Mbrojtjen e të Akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale ishte krijuar pasi që kishin filluar të vinin ftesat e para për intervistim nga Haga. Kjo zyrë funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, derisa ka si rol njëkohësisht ofrimin e ndihmës për familjarët e të akuzuarve gjatë procesit në Hagë. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart