Rritet numri i aktakuzave ndaj të vdekurve, edhe një e tillë shënohet në Podujevë - Gazeta Express

Gazeta Express

23/01/2020 16:38

Me i fundit

Rritet numri i aktakuzave ndaj të vdekurve, edhe një e tillë shënohet në Podujevë

Gazeta Express

23/01/2020 16:38

Prokuroria e Shtetit, vetëm gjatë dy vjetëve të fundit, e ka çuar në mbi 10 numrin e aktakuzave që janë ngritur ndaj personave që tashmë kanë vdekur.

Një të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka ngritur edhe në gusht të vitit 2019, ndaj personit që kishte vdekur në shkurt të atij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

pressing

Për këtë arsye, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, të enjten, e ka hedhur poshtë aktakuzën, me të cilën E.I ngarkohej për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”.

Kjo aktakuzë, që mbante emrin dhe firmën e prokurores Fikrije Sylejmani, është hedhur poshtë nga gjykatësi i çështjes, Gazmend Bahtiri, i cili edhe ka pushuar procedurën penale në këtë rast.

Sipas gjykatësit Bahtiri, ky aktvendim i gjykatës është marrë pasi është vërtetuar vdekja e të akuzuarit E.I, me certifikatën e vdekjes, e lëshuar nga zyra e gjendjes civile në Podujevë.

Në arsyetimin e aktvendimit, gjykatësi Bahtiri, ka deklaruar se bazuar në dokumentet komunale, i akuzuari në fjalë, kishte vdekur më 14 shkurt të vitit 2019.

Sipas kësaj aktakuze, E.I, akuzohej se nga data e pacaktuar e deri me 19 janar të vitit 2019, me anë të lajthimit, largimit ose mënyrave të tjera, kishte siguruar shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për shërbime të tilla dhe duke keqpërdorë energjinë elektrike.

Siç përshkruan kjo aktakuzë, gjatë kontrollit nga ana e zyrtarëve të KEDS-it, është vërejtur se është kyçur direkt, në atë formë ku daljen e fazës L3, e ka kyçur në hyrjen e fazës L3, ashtu që faza L3, nuk ka bërë matjen e energjisë së shpenzuar, duke i shkaktuar dëm kësaj kompanie, në shumë prej 193.43 euro.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi, në nëntor të vitit të kaluar, kishte publikuar raportin “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”, në të cilin ishin paraqitur tetë raste të tilla, sipas gjetjeve nga monitorimi sistematik i sistemit të drejtësisë.

Gjithashtu, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar për të gjitha këto raste, ku deri më tash, numri i këtyre aktakuzave të ngritura ndaj personave të vdekur ka kaluar mbi 10 sosh.