Rastet e sëmundjes Lyme në Angli janë rritur me më shumë se 20 për qind brenda një viti, sipas ekspertëve të shëndetit publik.
Sipas analizës së Agjencisë Britanike për Sigurinë Shëndetësore, në vitin 2025 u konfirmuan 1,168 raste, krahasuar me 959 raste në vitin 2024, që përbën një rritje prej 22 për qind.
Sëmundja shkaktohet nga baktere që transmetohen përmes rriqrave, të cilat ushqehen me gjakun e kafshëve dhe njerëzve. Ajo mund të shkaktojë dhimbje kronike të kyçeve, probleme neurologjike, paralizë të muskujve të fytyrës dhe, në raste më serioze, komplikime në zemër.
Simptomat e para shpesh ngjajnë me gripin dhe mund të shoqërohen me një skuqje karakteristike në formë rrethi, që mund të shfaqet deri në tre muaj pas pickimit nga një rriqër i infektuar. Nëse nuk trajtohet, sëmundja mund të shkaktojë më vonë probleme me kujtesën, përqendrimin dhe inflamacion të trurit apo palcës kurrizore.
Autoritetet britanike paralajmërojnë se rastet zakonisht arrijnë kulmin në muajin qershor dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në ambiente të gjelbra. Këshillohet përdorimi i repelentëve, mbulimi i lëkurës dhe kontrolli i trupit pas qëndrimit jashtë.
Ekspertët theksojnë se jo çdo rriqër bart bakterin që shkakton sëmundjen, ndërsa heqja e shpejtë dhe e kujdesshme e tij ul rrezikun e infektimit.
Trajtimi zakonisht bëhet me antibiotikë dhe shumica e pacientëve shërohen, por disa persona mund të përjetojnë simptoma të zgjatura për muaj apo vite. Autoritetet shëndetësore kërkojnë më shumë gatishmëri ndaj sëmundjeve që transmetohen nga insektet dhe rriqrat, sidomos në kushtet e ndryshimeve klimatike. /GazetaExpress/