Rrëzohet Arta Vorpsi! Gjykata Kushtetuese: Detyrën e fillojnë anëtarët e betuar tek Presidenti


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 15:20

Gjykata Kushtetuese ka dalë me një deklaratë për median në lidhje me të gjithë ‘kaosin’ e krijuar deri më sot nga përplasja e Presidencës dhe shumicës qeverisëse për kandidatët Arta Vorpsi e Marsida Xhaferllari.

Në deklarimin e saj, Gjykata Kushtetuese thotë se është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevosjhme formale për fillimin e detyrës për tri anëtarët e saj të rinj pas betimit të tyre para Presidentit, duke nënkuptuar kësisoj se njeh Marsida Xhaferllarin si anëtare legjitime dhe jo Arta Vorpsin.

“…Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.”-thuhet në njoftimin e përcjellë nga Gjykata Kushtetuese.

Anetaret e Gjykates sipas Kushtetuese, ne njoftim shihet emrin i Marsida Xhaferllarit dhe jo ai i Arta Vorpsit

Ndërkohë në lidhje me rezolutën e votuar në kuvend, Gjykata Kushtetuese shkruan se nuk ka ende mundësi ligjore që të shqyrtojë dokumente apo kërkesa të këtij lloji, duke e lënë pezull kësisoj kërkesën e socialistëve.

NJOFTIMI

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”. 
Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës./EXPRESS

Te fundit


Kthehu lart