Rreziku nga padia kundër Serbisë për gjenocid, shembuj nga Bosnja dhe Kroacia - Gazeta Express
string(76) "rreziku-nga-padia-per-gjenocid-kunder-serbise-shembuj-nga-bosnja-dhe-kroacia"

Rreziku nga padia kundër Serbisë për gjenocid, shembuj nga Bosnja dhe Kroacia

Lajme

Gazeta Express

11/05/2021 19:00

Albin Kurti premton ta padisë Serbinë për gjenocid. Humbja e një rasti të tillë, politikisht do t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës. Për këtë, duhet parë në të kaluarën shembujt e Bosnjës dhe Kroacisë, që e kishin paditur Serbinë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Dialogu me Serbinë do të jetë sfida më e madhe e Albin Kurtit, kryeministrit të ri të Kosovës. Por lideri i Lëvizjes Vetëvendosje synon që t’ia vë një sfidë edhe më të madhe shtetit të cilin do ta udhëheq për katër vjet. Ai e ka në plan të ngre padi kundër Serbisë për gjenocid gjatë luftës në Kosovë. Këtë pikë, kryeministri i Kosovës e ka përfshirë edhe në programin qeveritar të miratuar të premten, duke thënë se çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga prioritetet e punës së tij gjatë mandatit qeverisës.

Kurti e konsideron obligim ngritjen e kësaj padie, por humbja e një rasti të tillë, politikisht do t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha Kurti pas miratimit të programit qeveritar. Ai theksoi se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për këtë padi nxiti shpejt reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e konsideroi këtë si kërcënim dhe tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Madje ai i rekomandoi Kosovës që mos të provojë ta bëjë një gjë të tillë.

“Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, ka thënë Vuçiq.

Padia e Bosnjes kundër Serbisë në GJND

Në mars të vitit 1993 Bosnja kishte ngritur padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërkohë që lufta vazhdonte dhe fundi i saj nuk shihej.

Bosnja kërkonte që gjykata (e njohur gjithashtu si Gjykata Botërore) të deklaronte se Serbia ishte e përfshirë nëpërmjet agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të saj në një fushatë spastrimi etnik në Bosnje dhe ta urdhëronte Beogradin ta ndalonte këtë menjëherë.

Të dy palët u përfshinë në një duel të jashtëzakonshëm ligjor. Fillimisht, Serbia dëshironte që kjo çështje të hidhej poshtë me arsyetimin se gjykata nuk kishte juridiksion për këtë rast. Por gjykata vendosi në vitin 1996 se ky rast mund të vazhdonte.

Në vitin 1997, Serbia paraqiti një kundër-padi ndaj Bosnjes duke e akuzuar për nxitjen e gjenocidit kundër serbëve atje.

Megjithatë, katër vjet më vonë – pas rënies së regjimit autoritar të ish-presidentit Sllobodan Millosheviq, Serbia e kishte tërhequr këtë kundër-padi. Kjo u bë pjesërisht me shpresë se mund të bënte që Bosnja ta tërhiqte padinë e saj tani që udhëheqësi serb – që fajësoheshin drejtpërdrejt për mizoritë në luftën e Bosnjes – nuk ishin më në pushtet.

Bosnja i injoroi sugjerimet e Beogradit për ta zgjidhur çështjen jashtë gjykatës, dhe në vitin 2003 bëri përpjekjen përfundimtare për ta paraqitur rastin para gjyqtarëve.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë kishte konstatuar se vrasjet e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid.

Kjo gjykatë kishte thënë se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por gjithashtu edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2017 e kishte refuzuar një kërkesë polemike të Bosnje e Hercegovinës për të apeluar kundër vendimit për lirimin e Serbisë nga akuza për përgjegjësi për gjenocidin e kryer në Srebrenicë.

Gjykata e OKB-së shprehej se kishte marrë në konsideratë opinionet e tre anëtarëve të presidencës trepalëshe të Bosnjës.

“Gjykata konsideron se përmbajtja e tyre tregon se vendimi nuk është marrë nga asnjë organ kompetent, në emër të Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet përsa i takon kërkesave për rishikim të vendimit të marrë më 26 shkurt 2007”, kishte thënë gjykata në një deklaratë.

Padia e Kroacisë kundër Serbisë në GJND

Në vitin 1999, një padi ndaj Serbisë në GJND e kishte ngritur Kroacia. Shteti serb akuzohej për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995.

Kroacia shprehej se Serbia është fajtore për spastrim etnik dhe për një formë të gjenocidit, në luftën që ka bërë që mijëra kroatë të zhvendosen, të vriten, torturohen dhe pronat e tyre të shkatërrohen.

“Sllobodan Millosheviqi, Armata Popullore Jugosllave dhe njësitë paramilitare serbe kanë kryer një ‘fushatë gjenocidi’ kundër joserbëve në periudhën prej vitit 1991-1995. Regjimi i Millosheviqit synonte krijimin e dhunshëm të Serbisë së Madhe”, deklaronte atëkohë përfaqësuesja kroate e kësaj padie, Andreja Metelko-Zgombiq.

Kjo strategji e Millosheviqit dhe e Serbisë – shtonte ajo – nënkuptonte largimin e popullatës kroate nga një e treta e territoreve të Kroacisë dhe asgjësimin e pjesshëm të kësaj popullate.

“Me pak fjalë: ky është gjenocid”, shprehej Metelko-Zgombiq.

Kroacia kërkonte nga GJND-ja që Serbinë ta shpallte fajtore për gjenocid dhe të urdhëronte dënimin e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë. Kroacia po ashtu kërkonte prej Serbisë kthimin e të gjitha vlerave kulturore dhe pagesën e dëmshpërblimit të luftës. Vlerën e këtij dëmshpërblimi ia kishin lënë GJND-së që ta caktonte.

Në vitin 2010, Serbia kishte paraqitur një kundër-padi në po këtë gjykatë, me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë ishin detyruar të zhvendoseshin kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të saj.

Pesë vjet më pas, në vitin 2015, GJND-ja kishte vendosur se as Serbia, e as Kroacia nuk kishin kryer gjenocid kundër kroatëve, përkatësisht serbëve, gjatë luftës që zgjati rreth katër vjet.

Ministri i Jashtëm serb atëkohë, Ivica Daçiq, e kishte përshkruar këtë vendim si një nga ngjarjet më të rëndësishme për mardhëniet mes dy shteteve.

Pretendimet e paraqitura në paditë e të dyja vendeve u deshën vite që të zgjidheshin dhe ishin tepër të kushtueshme, veçanërisht për Kroacinë.

Sipas ministrisë së drejtësisë në Zagreb, ishin shpenzuar 3.7 milionë euro, ndërsa ministria e jashtme e Serbisë deklaronte se Beogradi shpenzoi 800,000 euro.

Padinë kundër Serbisë për gjenocid e kishte përmendur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ekspertët sugjeronin se plani i propozuar nga ai për ngritjen e një padie për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mizoritë e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 kishte pak shanse të kishte sukses.

Atëherë drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ishte përgjigjur Thaçit duke deklaruar se “nëse ka ndonjë që ka kryer gjenocid në Kosovë, ajo është UÇK-ja dhe komandantët e saj”.

Rastet e paprecedenta gjyqësore për gjenocid në Bosnje dhe Kroaci u ndoqën me kujdes nga shtete të tjera në të gjithë botën.

Ndërkohë Serbia në të dyja rastet ka synuar të provonte se krimet nuk kishin shkuar deri në gjenocid sipas përcaktimit të pranuar ndërkombëtarisht të këtij termi, sipas Konventës së Gjenevës të vitit 1948.

Kjo konventë e përcakton gjenocidin si “qëllim për ta shkatërruar, plotësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Në luftën e fundit në Kosovë u vranë mbi 10 mijë persona, mijëra të tjerë llogariten të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.