Rreth librit “Aliajt e Kryeziut (Pukë) paraardhës të Gjeçovit” të Tonin Aliajt


Gazeta Express
12 Korrik 2019 11:49

(Ky shkrim botohet në kuadër të 145-vjetorit të lindjes së At’ Shtjefen Gjeçovit)

Lekë Mrijaj

Dy vite më parë, ka dalë nga shtypi libri doracak/broshura “Aliajt e Kryeziut (Pukë) – Paraardhës të Gjeçovit”, i autorit Tonin Alia, i cili të thotë se është broshurë, apo siç e quaj unë një libër doracak, (L.M.). Ky doracak të tërheq jo vetëm për temën që ka marrë përsipër të trajtojë autori, por edhe për mënyrën me të cilën vetë autori Tonin Aliaj ka zgjedhur për ta paraqitur. Ky libër doracak, është strukturuar gjuhësisht dhe teknikisht shumë mirë dhe është strukturuar nga këta profesionalistë: Botuesi: At Ndue Kajtazi, redaktor: Frrok M. Kristaj, recensentë: Nikollë Kërhanaj e Arbnora Kolgjeraj, lektura: Sulejman Dermaku dhe kopertina: Stavri Guga.

Trajtimi i temave të përfshira në këtë libër doracak/broshurë studimore “Aliajt e Kryeziut (Pukë)- paraardhës të Gjeçovit”, ka përmbajtjen siç vijon: Parathënia nga Frrok Kristaj, përmbajtja/subjekti nga autori: me nëntemar: Aliajt e Kryeziut (Pukë)-Paraardhës të Gjeçovit, Vendet në të cilat u shkollua Gjeçovi, Vendet në të cilat shërbeu Gjeçovi; Pasthënia nga Laurant Bica, Doktor i Shkencave Filozofike dhe  Biografija e autorit, Tonin Alia.

 Ndër të tjera, në parathënien e këtij libri- broshurë, studiuesi, Frrok Kristaj, nga këndvështrimi i tij, e spjegon qartazi kohnjohjen e tij dhe gjeneologjinë e autorit, që i takon familjes Ali Gjeçi, që është i njëjti fis Gjeçi, e përshtatur Gjeçovi, ose e kompozuar si Gjeçov Kryeziu, pra i familjes së At’ Shtjefën Gjeçovit, që ishte një patriot, luftëtar, etnolog, gjeograf, historian, pedagog, poet, prozator, eseist, dramaturg, hartues i “Kanunit Lekë Dukagjinit” e themelues i sociologjisë familjare, sidhe shumëçka tjetër sikurse bash si vëllai i tij françeskan, At’ Gjergj Fishta, të cilët përveç të tjerash, s’bashku ishin themelues të eskurzionit fillor, etj…

Libri doracak/broshura “Aliajt e Kryeziut (Pukë) Paraardhës të Gjeçovit”, i shkruar mjeshtrisht, me shumë ngrohtësi nga një njohës i shkrimeve me emër, dhe i gjakut të At’ Shtjefën Gjeçovit,   ekspozoi fakte e  amanetin e parardhëve të tij fistarë e gjenetikë. Qysh në fillim, veç tjerash, autori i librit e falënderon edicionin e 46-të të manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, të mbajtura në Zym të Hasit, Prizrenit, më 14 tetor 2017. Në librin e tij autori ka konceptuar pak fjalë dhe ka thënë shumë për gjenealogjinë e familjes Aliajt e Kryeziut, përkatësisht Gjeçi (apo përshtatur Gjeçovi), pra edhe gjenealogjinë e figurës së ndritur kombëtare At Shtjefën Gjeçovit, fjalë të cilat i ka prezentuar të botuara në këtë doracak libër. Në ‘të thuhet: At’ Shtjefen Gjeçovi, “Nderi i Kombit”, është me prejardhje nga një degë e fisit tonë, të Aliajve të Kryeziut (afër Pukës), ” gjë që do të mundohem ta argumentoj. Nuk marr përsipër të shkruaj me kopetencë të plotë rreth këtij argumenti, mbasi unë pjesërisht jam i informuar nga disa shkrime historike dhe gojarisht nga gjyshi im, Ndue Dodë Alia, i cili në vitin 1996 është falënderuar e i është dhënë “Bekimi Apostolik” nga Papa Gjon Pali II”.

Gjeçovi thoshte: “Asht fatkeq ai popull që nuk njeh historinë e vet”.

Autori i këtij libri, T. Alia, kur  ngjeu penën për të shkruar e zbardhur fakte për këtë njeri karizmatik të fisit të tij e kolosit të mendimit filozofik, teologjik shpirtëror katolik e kulturor mbarëshqiptar, njëkohësisht ai bën edhe vlerësimin e tij final, duke thënë se familja e tij është çvendosur për shkaqe ekonomike aty nga viti 1700, ardhur nga Shala e Dukagjinit duke u vendosur në vendin e quajtur “Kodra e Gegës” ku sot është varreza, në të cilën prehen të parët tanë. Nga aty është zhvendosur, për arsye të një emigrimi të dytë, drejt Gjakovës, ku, pas rikthimit, është vendosur në lagjen Gegaj në Kryezi, aty ku edhe sot janë dy gurë të mëdhenj, nga ata të themeleve të shtëpisë tonë, e më vonë në lagjen Lajthizë, ku jemi edhe sot. Ai, përmes një skanari, i ka bërë autopsinë gjenetike. Madje për paraardhësit e tij Alia- Gjeçovët, ka shkruar edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, pikërisht në veprën e 9-të, në reportazhin me titull “Në kërkim të një ëndrre…”, i cili jep mbresat e veta gjatë qëndrimit për tri net në familjen tonë, në mars të vitit 1965, ku shkruan: “Gjithë legjendat dhe ngjarjet e malësisë u treguan atë natë, rreth asaj sofre të madhe sa një lëmë”. Madje Agolli kishte gjetur aty material historik, folklorik, etnologjik origjinal, “të virgjër”, të treguar apo të ekzekutuar para tij, si tregime, fabula, veshje të vjetra, “koncert” nga rreth 20 fëmijë, si dhe këngë nga Eposi i Kreshnikëve e Lahuta e Malësisë, kënduar me lahutë e me çifteli, sidomos nga gjyshi Ndue Doda dhe baba im, Dedë Shala. Me këtë dua të tregoj se ne jemi një familje e madhe, e njohur në krejt Veriun Shqiptar, me histori të hershme, ku edhe degëzimi familjar prej nga rrjedh Atë Gjeçovi ka lënë gjurmë në histori. Ndarja e familjes sonë me paraardhësit e drejtpërdrejtë të Gjeçovit, si bark, ka ndodhur te vëllezërit Dema dhe Prendi, që ishin nipat e Gjeçit, d.m.th. djemtë e djalit të Gjeçit, i vendosur në “Kodrën e Gegës” apo “Guri i Gegës”

Për familjen Alia apo Gjeçovi, siq thotë autori T. Alia, shkruan edhe studiuesi Ruzhdi Mata, i cili veq tjerash potencon se: “Në Janjevë, prindërit e Gjeçovit, gjyshi apo ndoshta stërgjyshi, kishin ardhur prej shumë vitesh më parë. Ata u detyruan të largohen nga malësitë e Pukës, për të siguruar kushte më të mira jetese”, ndoshta pse aty, në Janjevë, ishin të gjithë shqiptarë, kishte miniera për nxjerrje argjendi, aty ishte edhe shkolla që nga viti 1671 (diku thuhet që nga viti 1610), gjithashtu shërbesa kishtare në një kishë të madhe, për çka fisi ynë ka përkushtim të hershëm që do të thotë se “Për një kohë të gjatë ata ruajtën mbiemrin “Kryeziu”, duke treguar fshatin e lindjes, por pastaj filluan të merrnin si mbiemër emrin e të parit të familjes, apo të fisit të tyre “Gjeçi”.

Pikërisht flet edhe për emrin “Kryezi”, që i mbeti katundit prej të birit të kolonjarit, vendosur me banim në Kryezi, sepse ky kishte qenë tepër i hidhët. Më bjen në mend, shkruan Gjeçovi, kur isha fëmijë në shpi e kur ndonji (prej) nesh ishte i hidhët e kryeneç, plaku Pepe (Petar) Gjeçovi, iu gërmushte tuj thanë: “Ah kryezi, bre!”.

Janjeva ishte një nga fshatrat më periferike të Kosovës, ku takohej popullsia shqiptare me elementin sllav, gjë që ka kushtëzuar transformimin e mbiemrit nga Gjeçi në Gjeçov, emrin e plakut nga Pjetër në Petar ose nga Pepe në Petar (shpjegimi ynë). Në këtë mjedis shqiptar do të rritej ai fëmijë, që u lindi Gjeçajve, me 12 korrik 1874, të cilin e pagëzuan me emrin Mëhill, por që shkurt e thërrisnin Hilë, i biri i Matës. Prindërit e tij ishin Mata dhe Ana, por sipas një plotësimi të Frrok Kristajt, dikund quhet Maria, që si duket është quajtur Ana-maria, që ishte e familjes Guga nga Prizreni e që jetonte në Janjevën e Kosovës ku të parët e Gjeçovit erdhen nga Kryeziu i rrethit të Pukës.

Nga ky parashtrim veç tjerash autori T. Alia, tregon se sipas të thënave të gjyshit të tij, Ndue Dodë Alia, i cili ka bashkëpunuar me Fratin, kushëririn e tyre, At’ Shtjefën Gjeçovi dhe se është takuar shumë herë në Gomsiqe. Kur Frati mori transferimin për në Kosovë, e përcolli Ndue Dod Alia me një bashkëfshatar të tij, të quajtur Lazër Doda, me dy kuaj;  janë nisur të tre për në Gjakovë, për tek te afermit e tyre pikërisht te dajat e gjyshit dhe nipa e mbesa të bijave tona. Kanë drekuar te daja im, Bardh Mëhilli në fshatin Flet, e bujtur tek Bibë Gjekë Bala, mik yni në Dardhë, të pasnesërmen kanë hyrë në Gjakovë.

T. Alia, në librin e tij sjell episode të tjera ndër breza duke paraqitur të plota të dy degët e fisit të dalë nga Gjeçi, nga Puka, levizjet, brezat, si dhe në plotni pemën gjeneologjike të fisit e familjën e tij të ngushtë duke u nisur nga viti 1700-1970. Andaj në fund të fjalës së tij autori i falënderon të gjithë mbeshtetësit e tij duke thënë se jam krenar që m’u dha mundësia të tregoj lidhjen tonë të gjakut me familjen prej nga rrjedh At Shtjefën Gjeçov  Kryeziu dhe se të dhënat u mblodhën nga: Hilë, Gjovalin, Ndoc dhe unë, Tonin Alia, duke mos e perjashtuar Frrok Kristajn, njohësin e figurës së At Shtjefën Gjeçovit.

Pasthënien e librit, në mënyrë profesionale e bëri dr. Laurant Bica, Doktor i Shkencave Filozofike. Veç falenderimeve e urimeve të përgjithëshme për autorin dhe mbështetësit e tij të natyrave të ndryshme, ai tha: “Broshura vertet duket e vogël por ajo ka mbjellë farën për tre katër monografi të reja, si për origjinën e Gjeçovit, për vëndet, ku u shkollua si dhe për vëndet ku shërbeu Ati i madh françeskan Gjeçovi si famullitar.

Tonini sjell në libër edhe fotografi (mund t’i shihni në broshur shënimi im L.M.) një punë e bërë dhe kjo ndër vite. Studiuesave të sotëm e të nesërm u takon detyra të shohin vëndet ku ka fotografuar Tonini e të shkruajnë për të gjërë e gjatë.

Pret të dale në dritë dhe monografia e Gjeçovit për Historinë e Arqipeshkvisë së Tivarit në shekuj, që e pati punim diplome me mbi 300 faqe në latinisht, e cila duhet përkthyer në shqip, se është kontribut i tij në fushën e filozofisë e të teologjisë”, tha në fund të pasthënies së tij dr. Bica.

Libri i Tonin Alisë, “Aliajt e Kryeziut (Pukë) Paraardhës të Gjeçovit” të bën të mendosh për sot dhe për të ardhmen e patriotëve, atdhetarëve, krijuesve e të brezave  tonë mbarëshqiptarë. Ky është një libër studimor me vlera të rralla, që do i bënte nder çdo shqiptari patriot e intelektual ta kishte  si udhërrëfyes, testament në jetën e përditshme, duke kujtuar kontributet, vlerat, sakrificat e paraardhësve tanë për ti dhënë dritë jetës e të së vertetës sonë të lavdishme shqiptare.

Përgëzime Tonin! Ju me penën tuaj, hodhët dritë jo vetëm në familjen tuaj fisnike e bujare, por më shumë mbi një personalitet të spikatur të spektrit kombëtar, fetar e kulturor, siq ishte At’ Shtjefën Gjeçovi, ky françeskan e atdhetar, që para plotë 122 vitësh apo me 25 korrik 1897, në Kishën e Lugut të Drinit – Zllakuqan të Klinës thirri Kushtrimin për hapje të mësonjëtores shqipe në Zllakuqan.

Dokumentar kushtuar At Shtjefen Gjeçovi. Producent: Kinostudio “Shqipëria e Re” Viti: 1985

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart