Rrëfimi prekës i ish-ushtarit të UÇK-së, ia vranë në luftë 7 fëmijë, gruan dhe nënën


Syzana Hajradini
12 Nëntor 2019 10:55

Ky është Isak Asllani nga fshati Rancë e Shtimes. Dikur ish-luftëtari i UÇK-së, bënte pjesë në njësinë e brigadës vëzhguese Diversanti

Ai kishte një jetë të lumtur e të qetë, deri në momentin kur forcat serbe në gusht të vitit 1998 ia vranë shtatë fëmijët, gruan, nënën, mbesën dhe gruan e vëllait. 

Pas këtij momenti Asllanin e dërguan në spital, ndërkaq familjen e tij e varrosën.

Fëmija më i madh i tij ishte Burimi 13 vjeç, e më e vogla ishte Antigona e cila sapo kishte mbushur një vit. Edhe pse nuk i ka mbetur asnjë fotografi nga ajo kohë, Isaku i ka para syve imazhet e tyre.

Por, pas tre muajsh pikërisht më 28 Nëntor të vitit 1998, me emocione të përziera Isaku u martua përsëri dhe krushqit, atë kohë ushtarë të UÇK-së morën nusen e re.

Por, me malësoren, siç e quan ai gruan e dytë, nuk kishte fëmijë. E duke e pasur mbështetjen e saj, ish-luftëtari u martua përsëri. Me gruan e tretë tani Isaku ka binjakë.

Ndonëse dhimbja është aty, me të, për atë që i kishte ndodhur 21 vjet më parë, ai ndihet i lumtur dhe i plotësuar që ka arritur sërish ta gëzojë epitetin e babait. 

Asllani, tani zgjohet çdo mëngjes me vullnetin më të madh. Madje këtyre dy fëmijëve ua ka përtërirë emrat, Lumnije dhe Ejup.

“Shumë kanë trashëgu, shumë kanë veti t’tyne. Unë problemet pak i kam dashtë gjithë. Po m’doket që edhe ky po don me u bo qasi problemi”, përfundon me lot në sy historinë e tij Isaku.

Te fundit


Kthehu lart