Rrëfimi prekës i fëmijëve që i mbijetuan eksplozivit në Zhur: Na shpëtoi polici që u vra - Gazeta Express
string(88) "rrefimi-prekes-i-femijeve-qe-i-mbijetuan-eksplozivit-ne-zhur-polici-qe-u-vra-na-shpetoii"

Rrëfimi prekës i fëmijëve që i mbijetuan eksplozivit në Zhur: Na shpëtoi polici që u vra

Gentiana Hasani

12/02/2020 17:02

Prezenca e babait brenda shtëpisë u kthye në rrezik për ta. Dy fëmijët e Iran Badallajt, vajza 8 vjeçe dhe djali 11 vjeç, ishin kërcënuar nga babai i tyre në mbrëmjen e 28 janarit se ajo natë do të jetë e fundit për ta. Në kurthin me eksploziv, të montuar nga Irani, ranë zyrtarët policorë të Kosovës. Nga shpërthimi vdiq polici Sami Thaçi dhe u lënduan katër të tjerë, në mesin e tyre edhe djali i mitur i Iranit. Express për herë të parë ju sjell rrëfimin e dy fëmijëve të mitur me pajtimin nënës së tyre, gruas së Iran Badallajt.

Për muaj me radhë jetuan me kërcënimet e babait të tyre. Me frikë e dhunë, dy fëmijët e mitur të Iran Badallajt zgjoheshin çdo mëngjes. Kishte qenë pikërisht personi që i kishte sjellë në jetë këta dy fëmijë, Iran Badallajt, ai që kishte qenë i vendosur t’ua merrte jetën. Në mesditën e 28 janarit të këtij viti, në gjendje të dehur, Badallajt i kishte kërcënuar me thikë të miturit e tij se ajo ditë mund të kishte qenë e fundit për ta. Madje, kishte vendosur edhe eksploziv brenda shtëpisë ku ishin këta fëmijë.

Lexo Edhe:

Vajza 8-vjeçare dhe gruaja e Iran Badallit

Por, nga kurthi i ngritur nga Badallaj për fëmijët e tij, ranë zyrtarët policorë të Kosovës që shkuan atje paraqitën pas një thirrjeje telefonike për ndihmë, që e kishin marrë nga vajza 8-vjeçare e Iranit.

Gazeta Express ka qëndruar në vendin ku po strehohet gruaja e Iranit, 31 vjeçarja,  L.Sh. Ajo bashkë me dy fëmijët e saj që kanë qenë në shtëpi në natën kritike kanë folur për herë të parë rreth asaj së çka kanë parë atë natë dhe për kërcënimet e vazhdueshme që po ua bënte babai – kryefamiljari i tyre. Biseda me ta është bërë me pajtimin e nënës, e cila po ashtu ka folur për Gazetën Express. Por, identiteti i fëmijëve të mitur nuk do të zbulohet për shkak të privatësisë.

Si nisi e gjithë historia dhe si e thirri policinë në telefon 8-vjecarja nga Zhuri?

Në ditën 28 janarit, 8-vjeçarja nga Zhuri ishte bërë gati që të shkonte në shkollë. Deri atje, ajo bashkë me vëllain ishin shoqëruar nga babi i tyre Irani. Ai përfundimin e mësimit për vajzën e tij e kishte pritur në një kafene në Zhur. Aty kishte konsumuar alkool.

Në gjendje të dehur pas orës 17:00, Irani e kishte marrë vajzën dhe djalin 11-vjeçar nga shkolla. Deri tek shtëpia me armë i kishte kërcënuar se ajo do të jetë dita e fundit për ta.

Dy fëmijët që kanë qenë në shtëpi në natën kritike

Gazeta Express, ka qëndruar në Zhur dhe Prizren. Nga aty ka marrë rrëfimet e fëmijëve që kanë qenë në natën kritike kur në një operacion policor vdiq zyrtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaqi.

Vajza 8-vjecare: Babi na kërcënonte me thikë, na tha sot është nata e fundit për ju

I kujton shumë mirë fjalët e fundit të babit të saj. “Kjo është nata e fundit për ju”. Kështu citon t’i ketë thënë babi i saj, Iran Badallaj, asaj, në mesditën e 28 janarit të këtij viti. Pas këtyre fjalëve ai kishte dalë nga shtëpia e tij në fshatin Zhur dhe nuk ishte kthyer më.

Por, menjëherë pas, kjo vajzë e kishte thirrur policinë. Për Express ajo tregon për natën kritike dhe për mënyrën se si ajo e kishte thirrur policinë.

“Babi na sulmonte me thikë. Ai kur ka dalë unë e kam prek 192’shin  dhe iu tregova policisë, iu thashë babi na ka sulmu me thikë. Ata menjëherë kanë ardhë. Babi nuk ka qenë në shpi.  Para se me dalë nga shtëpia na ka thanë, ‘Sot është dita juaj e fundit. Unë jam frigu prej tij. Nana më ka msu me e thirrë policinë”, rrëfen e mitura.

Vendi ku ndodhi eksplozivi-Fshati Zhur

Ajo tregon edhe për mënyrën se si Policia e Kosovës kishin hyrë në shtëpinë e tyre.

“Policia ka hy vetë brenda. Ata janë ngjitë nalt. Më thirrën mua dhe vëllain. Na thanë ejani me na tregu neve dhomën. Pastaj mua më thanë shko vishi një palë çorape se isha zbathur.  Si e kam pak unë çorapen në dorë, veç kur e kam dëgjua krismën. Babi pike birra”, tregon për ditën e 28 janarit vajza 8-vjeçare.

Ajo thotë se edhe një herë tjetër kishte shkuar në polici dhe e kishte lajmëruar të atin për dhunë. Por, atë kohë, askush nuk kishte marrë masa.

“Unë njëherë kam qenë në polici ditën vetë. Ata më kanë thanë, shko në shpi se ti je e vogël”, thotë ajo.

Djali i Iran Badallajt: Polici Samiu kur e ka kapur eksplozivin me dorë më ka shtyrë mua nga shpërthimi

Krisma e shpërthimit në shtëpinë e Iran Badallajt ishte ndier thuajse në të gjithë fshatin Zhur. Nga eksplozivi, i cili shpërtheu në dyert e shtëpisë së Iranit, mbeti i vdekur një zyrtarë policor si dhe u lënduan edhe katër persona të tjerë. Por, lëndime nga shpërthimi mori edhe djali 11-vjeçar i Iranit.

Por, çka thotë djali i Iranit për policin Sami Thaqi, i cili u vra në atë aksion?

Sipas 11-vjeçarit, Thaqi u kishte kërkuar fëmijëve që të ngjiteshin me të një kat më lart. Djali i Iran Badallajt thotë se ka parë një kuti të bardhë si ora, të cilën e kishte kapur polici me duar.

Polici i vdekur në aksionin e Zhurit, Sami Thaqi

“Ka qenë një diçka e gjatë, si kuti, përmbi ka pas një sahat ai polici kur e ka kap në duar. Si ua ka thënë atyre të tjerëve gjeta diçka, veç kur ka kërsitë. Pastaj mu një polic më ka shty, rashë në tokë. U çova pastaj në këmbë e shkela përfundri një bllokut. Kur e kam pa policin nën të duke gjëmuar e kërkuar ndihmë. Polici më thoshte shpëtom. Unë u mundova me e hec bllokun”, sqaron djali i mitur.

Edhe djali sqaron se babai i tij gjatë gjithë ditës i kishte kërcënuar duke iu thënë se do t’i vriste.

“Atë ditë, para se të shkojë motra në shkollë, ne dolëm bashkë me babin me e çu motrën.  Unë shkova te shkolla me lujtë top me shokët.  Babi ka qenë në qytet, ka hy në kafe me pi. Edhe kur e ka përfundua motra shkollën jemi kthy tret bashkë në shpi.  Tu u kthy babi na thoshte, ‘dita e fundit është për ju sot’. E nxori thikën dhe na tha shihmi në shtëpi ne”, thotë 11-vjeçari për Express.

Ai sqaron se kishte qenë pikërisht polici tashmë i ndjerë, Sami Thaqi, ai i cili e kishte shtyrë në momentin kur kishtë shpërthyer eksplozivi.

“Unë i kam pa tre policët e lëndum. Ai që më ka shty mu, ka qenë më larg, thuajse i vdekur. Njëri që e ka zu blloku edhe tjetri duke shku poshtë shkallëve. Kur e ka kap ai polici që tashmë ka vdekë eksplozivin në dorë, ai më ka shtyrë mu që mos të lëndohem”, thotë 11-vjecari.

Gruaja e Iran Badallajt: Unë dua të ndahem nga ai, që një kohë të gjatë ushtronte dhunë ndaj nesh

Për dhunën e vazhdueshme që ia kishte bërë bashkëshorti, L.Sh., vazhdimisht e kishte njoftuar policinë e Kosovës. Këta të fundit e kishin lënë atë të lirë. Për Express kjo grua ka rrëfyer për jetën e vështirë që e kishte kaluar me Iranin.

“Ai pike shumë. Ushtronte dhunë. Mosmarrëveshje kemi pas gjithë kohës. Para tri viteve unë kam dashtë me u nda nga ai. Ai kur pike nuk donte me të njohtë se kush je. Nëse nuk kapej me mua kapej me vajzën, e me djalin. Veç shikonte se ku me u kap. Kur ka qenë me vetëdije ai ka qenë mirë. Alkooli e tjetërsoi të gjithin”, thotë ajo.

Ajo shpjegon se Badallaj vazhdimisht e kishte kërcënuar se nëse ndahej nga ai, do ta vriste.

“Prej që kam dalë prej shtëpisë së tij, ai gjithmonë më ka kërcënuar. Na thoshte, “gjithë kam me ju djegë”, thotë ajo.

Por, kjo grua bashkë me tre fëmijët e saj, tashmë jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike e sociale. Nuk kanë as para e as strehë mbi kokë.

“Unë jam nda nga ai. Por tash nuk kam kushte se si t’i rris fëmijët e mi. Neve na vjen shumë keq për rastin. Nuk kam as strehim, as avokat as asgjë. Sot fëmijët e mi janë me një palë tesha. Më duhet një strehë për t’i rritur këta fëmijë”, thotë ajo. /GazetaExpress/

Kjo zonjë bashkë me tre të vegjlit e saj jetojnë në kushte të rënda ekonomike. Për të gjithë ata që duan ta ndihmojnë të lajmërohen në numrin e telefonit: 045 583 528