Rrëfimi i gazetarit gjerman: Përshtypjet e një demonstrate antiqeveritare në Tiranë


Gazeta Express
16 Maj 2019 11:45

Korrespondenti i televizionit gjerman ARD raporton për protestat në Shqipëri.

Protestat e opozitës në vendin tonë tërhoqën vëmendjen e mediave më të mëdha botërore.

Michael Mandlik, drejtuesi i zyrës së ARD-së në Vienë rrëfen përshtypjet e tij nga protesta në Tiranë.

“Zhurma është me të vërtetë shurdhuese. Me sy mbyllur mund të imagjinohej një skenar lufte. Por mbyllja e syve në këtë situatë do të ishte çmenduri.

Jo për shkak të kapsolleve, të cilët janë hedhur nga turma çdo sekondë, por më pas vjen përplasja mes demonstruesve dhe policisë. Rreziku është real: kokteje Molotov, të cilat hidhen ndaj fasadës së Këshillit të Ministrave.

Policët qëndrojnë në një rresht duke u përpjekur t’i mbajnë demonstruesit larg ndërtesës.

Në të njëjtën kohë, protestuesit, të cilët herë pas here arrijnë të thyejnë zinxhirin e policisë, dalin triumfatorë përpara godinës së kryeministrisë.

Papritmas njëri prej tyre ka marrë zjarr. Menjëherë, dy bashkëprotestues të tjerë ia heqin rrobat e tij të djegura nga trupi.

 Ai vijon të qëndrojë atje, gjysmë i zhveshur dhe me sa duket i paralizuar”, shkruan gazetari gjerman.

Që nga shkurti i vitit 2019, opozita ka bojkotuar parlamentin.

“Iniciativa vjen nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike dhe udhëheqësi i saj Lulzim Basha.

Me këto hapa, opozita dëshiron të bëjë presion, duke akuzuar Partinë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama për mashtrim dhe korrupsion zgjedhor, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Vendi është në një ngërç, për shkak se kryeministri Edi Rama kategorikisht përjashton dorëheqjen dhe zgjedhjet e reja.

Kjo krizë e brendshme shoqërohet nga demonstrata masive kundër qeverisë.

Jam i impresionuar se si e përballojnë këtë situatë oficerët e policisë. Ata shohin sesi bombat molotov fluturojnë mbi kokat e tyre. Nuk mbajnë asnjë pajisje speciale mbrojtëse, as armë.

Përveç uniformës së përditshme, ata kanë vetëm një maskë mbrojtëse kundër gazit lotsjellës. Pak më vonë demonstrata kërcënon të dalë jashtë kontrollit. Numri i të lënduarve në të dy krahët është i konsiderueshëm”, thekson ai.

Më tej flitet për përdorimin e gazit lotsjellës dhe sa agresiv ishte ai jo vetëm për protestuesit, por edhe për grupet e xhirimit në terren.

“Nuk e di se çfarë gaz përdorin, ishte aq agresiv sa për disa sekonda të bën të humbasësh shikimin.

Kameramani ynë Danieli nuk mund të shohë asgjë, ai u tërhoq në një rrugë tjetër.

Disa protestues janë kujdesur për të derisa erdhi ndihma mjekësore.

Një tjetër kalimtar madje filmoi këtë skenë me celularin e tij. Kjo përvojë ishte e re për Danielin.

Me dy nga demonstruesit që u kujdesën për Danielin, hëngrëm një drekë në një nga restorantet në qendër të qytetit”, përfundon ai./Përshtati në shqip Gazeta Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart