Emisioni T7 Spotlight sonte ka trajtuar një temë të rëndësishme dhe në mënyrë të thelluar neglizhencën që ia ka bërë shteti i Kosovës luftëtarëve të UÇK’së ndër vite dhe moskujdesin e përkrahjen sidomos në trajtimin e traumave e pasojave shëndetësore të luftës.
Zeqir Gashi do të kishte dashur të rrëfente shumë. Se si në moshën njëzetvjeçare, iu bashkua Ushtrisë Clirimtare të Kosovës – në një çast kur thirrja e atdheut jehonte më fort se vetë jeta.
Do të kishte dashur të tregonte për netët e ngrira në llogore, për britmat e fundit të shokëve të rënë, për erën e barutit që zëvendësoi aromën e bukës.
Do të kishte folur për varret që dhuna serbe i hapi para kohe, për fytyrat që nuk u panë më kurrë – për gjakun që vërshoi mbi tokën dardane. Do të donte shumë të rrëfente plagët që nuk duken.
Por fjala është ndalë. Zani ka shterrë!
Kështu na shfaqet para syve ky luftëtar i UÇK-së, pas 26 viteve– dëshmitar i heshtur i një historie që nuk u rrëfye kurrë deri në fund.
Bashkëluftëtarët e tij na rrëfyen se për Zeqirin nisën problemet shëndetësore kur në front të luftës, në zonën e Dukagjinit, fare pranë tij, shpërtheu një granatë. Beteja e tij vazhdoi pas luftës me shëndetin. Edhe më e vështirë u bë kur nuk e pati aspak dorën e shtetit. Asnjë mbështetje institucionale për t’i kuruar traumat e forta të luftës. Atij i është dashur ndër vite të sigurojë me shumë sakrificë të ardhura për t’u trajtuar qoftë në Prishtinë apo në Tiranë, aq sa kishte mundësi me forcat e veta.
Ata e rrëfejnë luftën deri tek liria, e gjithçka që erdhi pas. Rrëfejnë sakrificën e ushtarëve të UÇK-së, ata që ranë për atdhe e të tjerë që mbetën invalidë apo me traumat e pashëruara të lufës, që çuan shumë luftëtarë në përballjen me problemet e shëndetit mental.
Më poshtë ndiqeni një pjesë të rrëfimit për Zeqir Gashin.
EMISIONI I PLOTË: