Rrëfime krimi


Gazeta Express
24 Maj 2019 11:05

Nga krimet e Serbisë në Kosovë, fokusi është kthyer te skandalet e fajdeve dhe krimi i organizuar brenda Kosovës. Më tepër ka gjasë të jetë një betejë brenda lloji, brenda soji, për interesa të ndryshme, me Kadri Veselin në qendër. Gjithçka e planifikuar mirë, po thonë njerëzit rreth tij, e që po e kritikojnë shtetin që nuk funksionon. Shtetin që e kanë kapur vetë.

Imer Mushkolaj

Teksa ka marrë flamurin që, 20 vjet pas luftës, të themelojë një tribunal për zbardhjen e krimeve të Serbisë në Kosovë, Kadri Veseli është vënë në qendër të një skandali që ka të bëjë me krim të organizuar. Dikush po pretendon që në emër të tij janë përfituar qindra mijëra euro, në një skemë detyrimi e fajdeje e denjë për filma kriminialistikë.

Ende pa e marrë veten nga skandali me fotografinë porno, që u pretendua të jetë dëshmi, rrëfim i krimeve serbe ndaj shqiptarëve, një rrëfim tjetër krimi ka tronditur opinionin. Një rrëfim që ngre shumë dilema e pikëpyetje.

Videoja e publikuar në media, në të cilën personazhet zënë në gojë kryetarin e PDK’së, del të ketë qenë në duar të organeve përkatëse qysh para gjashtë vjetësh. Nuk ka shpjegim tjetër se pse nuk është ndërmarrë asgjë për pretendmet që ngrihen në të, përveç se ndonjë prokuror e ka fshehur ose ka ndikuar që rasti të mos procedohet. Dhe, nuk ka tjetër shpjegim se pse kjo video bëhet tash, pikërisht tash publike, përveç se nuk mund të jetë e rastësishme.

Veseli ndërmori iniciativën për tribunalin, por duket se dikush ka të tjera plane. Nëse tregohemi pak konspirativë mund të thuhet se as koha dhe vendi i zgjedhur për të bërë publike fotografinë e famshme, e as koha e publikimit të videos nuk janë zgjedhur rastësisht. Por, nëse vazhdojmë të tregohemi edhe pak konspirativë, mund të thuhet se kjo është një betejë brenda lloji, brenda soji, për interesa të ndryshme dhe mbase koha kur përplasjet përbrenda mund të rezultojnë me zgjidhjen e shumë enigmave që kanë pllakosur shoqërinë me vite të tëra.

* * *

Personazhe të videos dhe të lajmeve për arrestimin e tyre del të jenë njerëz që kanë qenë pjesë e luftës. Të tillë del të jenë edhe të tjerë, që shfaqen në fotografi në shoqëri të tyre. Të tjerë, që pretendojnë se janë mashtruar pohojnë se janë të afërt, po ashtu, me njerëz të luftës. Edhe të PDK’së.

Nuk duhet të jesh farë ekspeti, për të parë lidhjet që ekzistojnë ndërmjet tyre, për të vërtetuar edhe njëherë se si është shfrytëzuar e kaluara e të qenit pjesë e luftës, lavdia e luftës për të përfituar miliona pas saj. Për të vërtetuar se sa krime janë bërë nga njerëz të luftës, nga të tjerë në emër të luftës, duke përdorur e keqpërdorur emra njerëzish të fuqishëm dhe duke bërë dallavere me prona milionëshe.

Mjafton rasti i fundit për të parë se çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit në emër të luftës, në emër të patriotizmit. Për të parë fijet e krimit të organizuar që e ka ngulfatur vendin, për të parë institucionet e kapura të drejtësisë, prokurorët e kapur nga politika dhe të fortit e politikës, për të parë se në çfarë gjendje është katandisur vendi.

Protagonistë të rrëfimeve të krimit janë njerëz me pushtet, janë deputetë e zyrtarë të rëndësishëm partish. Protagonistë janë biznesmenë që kanë përfituar miliona në mënyrat më perfide të mundshme, por gjithnjë me mbështetje politike. Në partneritet me pushtetarët.

* * *

Një këshilltar i kryetarit të Kuvendit të enjten u ankua për heshtjen e tri institucioneve të vendit: policisë, prokurorisë e AKI’së, lidhur me zhvillimet e fundit. U ankua edhe për shtetin që nuk funksionon.

Nëse policia hesht e nuk vepron, kjo ndodh për shkak se në postet kyçe të policisë janë vendosur njerëz të lidhur me politikën dhe me të kaluar jo të pastër. Nëse prokuroria hesht e nuk vepron, kjo ndodh për shkak se shumë prokurorë janë shpërblyer me poste nga politika, në shkëmbim të heshtjes për t’ua zbardhur bëmat atyre. Nëse AKI hesht e nuk funksionon, kjo ndodh për shkak se në krye të këtij institucioni janë vendosur, po ashtu, njerëz të afërt me politikën, joprofesionalistë e me të kaluar të dyshimtë. E nëse shteti nuk funksionon, atëherë kjo ndodh për shkak se pikërisht këta që ankohen dhe të tjerë si këta, e kanë kapur atë dhe vazhdojnë ta mbajnë të tillë. Andaj, është hipokrizi të flasësh për institucione të pavarura e shtet funksional, kur me vite të tëra partitë në pushtet e grupe të tjera politike e parapolitike kanë kontribuuar që të arrihet e kundërta. Skandalet e krimit të organizuar janë produkt i njerëzve të veshur me pushtet ose të afërt me ta. Njësoj si dhe institucionet dhe shteti i kapur. Andaj, rrëfimet e këtyre njerëzve janë vetëm rrëfime krimi.

Te fundit


Kthehu lart