“Përmes këngës te Shqipëria e Madhe”, si u akuzua Etnon për tendenca teritoriale në Mal të Zi

Agjencia për Mediat Elektronike e Malit të Zi u ka shqiptuar vërejtje televizioneve “Boin” dhe “Teuta” për shkak të transmetimit të spoteve muzikore të dy këngëve shqipe me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

GazetaExpress

Në vendimin e Agjencisë për Mediat Elektronike, të datës 18 dhjetor 2017, të nënshkruar nga drejtori Abaz Xhafiq, thuhet se emetuesit të programit “Boin” i

shqiptohet vërejtje si masë administrative-mbikqyrëse për shkak të shkeljes së
disa neneve dhe të Lejes për emetim, “me rastin e emetimit, më 28 nëntor 2017,
të spotit muzikor për këngën ‘Jam shqiptare’, me interpretues Pëllumb Vrinca.

Ndërkaq Televizionit “Teuta”, në bazë të vendimit të Agjencisë për Mediat Elektronike,
të datës 29 dhjetor 2017, i është shqiptuar vërejtja si masë
administrative-mbikqyrëse për shkak të emetimit, më 28 nëntor 2017, të spotit
muzikor për këngën ‘Albanian’, me interpretues Etnon feat Lyrical Son & DJ
Blunt.

Në bazë të vendimit, vërejtja i është shqiptuar TV “Teuta” për
shkak të emetimit të përmbajtjes programore me të cilën mund të rrezikohet
rendi kushtetues i Malit të Zi.

I kontaktuar nga GazetaExpress njëri nga krijuesit e hitit “Albanian”,
Milot Hasanxhekaj ka thënë se kjo histori zanafillën e ka shumë më herët.

“Disa vite më parë ne ishim në një koncert në Tuz, në lidhje me kërkesat e shqiptarve për krijimin e komunës së Tuzit. Pas atij koncerti, ditën tjetër ne e kemi parë vetën në një nga gazetat ditore, specifikisht në ballinën e gazetës “Dan”, duke aluduar se kinse grupi “Etnon” ka kënduar për tendenca teritoriale të Malit të Zi. Titulli i këtij shkrimi ka
qenë “Preko pjesme do velike Albanije”, që në shqip i bie “Përmes këngës deri
te Shqipëria e Madhe”. Ne e kemi marrë shtruar këtë duke e pasur parasysh që
kjo gazetë ka qenë me anime të opozitës në Mal të Zi e që nënkuptohet kjo
opozitë ka shumicë serbe në përmbajtje dhe një farë forme ishte e kuptueshme
edhe pse pa baza reale”, ka thënë Miloti duke sqaruar se ky veprim i tanishëm i
qeverisë malazese për ndalimin rreptësisht të emetimit të këngës së tyre flet
shumë për tendencën dhe shtypjen e mendimit dhe fjalës së lirë, kontrollit dhe
presionit që i bëhet shqiptarëve atje.

Kënga “Albanian” mbetet akoma njëra ndër këngët më të pëlqyera të
skenës muzikore shqiptare  dhe megjithë
ndalimin nga autoritetet malazeze kjo këngë këndohet një zëri nga publiku në
koncertet që Etnon marrin pjesë.

Ndryshe sipas Agjencisë për Mediat Elektronike, vërejtja është shqiptuar për shkak të
ritransmetimit të përmbajtjeve programore nëpërmes së cilës mund të nxitet
urrejtja dhe diskriminimi në bazë të përkatësisë etnike, shkeljes së detyrimeve
nga emetuesi që emrin, shenjën, respektivisht shenjën e shkurtër identifikuese
të medias elektronike ta shënojë edhe në rastin e ritransmetimit të programit
nga emetuesit tjerë, shkeljes së detyrimit të medias që në një vend të
përshtatshëm të vendosë emrin e medias nga është marrë përmbajtja programore
ose pjesa e saj, si dhe emetimit të përmbajtjeve me të cilat nxitet dhe
përhapet gjuha e urrejtjes, me qëllim të krijimit të intolerancës ose urrejtjes
nacionale, dhe në të cilën përdoren terma fyes që mund të lidhen me grupe
shoqërore ose etnike.

Agjencia për Mediat Elektronike ka kërkuar nga TV “Boin” dhe TV “Teuta” që t’i
harmonizojnë përmbajtjet e tyre programore në pajtim me detyrimet e Ligjit për
mediat elektronike, aktet nënligjore të kësaj agjencie dhe lejes për emetim të
programit./GazetaExpress/


Të tjera

Lajmet e fundit