Roy Keane e kritikon ashpër Anglinë për paraqitjen kundër Kosovës


Gazeta Express
11 Shtator 2019 15:29

Legjenda e Manchester Unitedit dhe Anglisë, Roy Keane, e ka kritikuar paraqitjen e lojtarëve të Anglisë në fazën e mbrojtjes, gjatë fitores 5:3 kundër Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

“Tre Luanët” i shfaqën aftësitë e tyre në fazën e sulmit gjatë kësaj përballjeje, pasi që arritën t’i shënojnë pesë gola qysh në pjesën e parë kundër Dardanëve”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin A, transmeton Gazeta Express.

Por, gabimet e anglezëve ia dhuruan Kosovës mundësinë për t’i shënuar tre golat e tyre në këtë ndeshje dhe kjo gjë e zemëroi Roy Keane, i cili e analizoi ndeshjen në televizionin britanik, ITV, mbrëmë.

“Një ndeshje e mrekullueshme për t’u shikuar nga lojtarët e Anglisë në mënyrë që të jenë vetëkritikë. Anglia i ka ende shumë zakone të këqija”, tha Roy Keane.

“Nganjëherë lojtarët mërziten kur ndeshja duket se ka marrë fund dhe këtu nisin të gjitha problemet. Është në rregull ta humbësh topin, mirëpo ata i ndoqën këto gabime duke mos vrapuar për ta rikuperuar topin, duke mos i mbrojtur bashkëlojtarët”.

“Nëse ti do të ishe në një seancë stërvitore me klubin tënd, do të mendojë se lojtarët nuk po e marrin lojën seriozisht – kaq e dobët ishte loja e Anglisë në mbrojtje”.

Michael Keane e humbi topin duke i lejuar Kosovës të kalojë në epërsi qysh pas 34 sekondave lojë dhe pastaj një pasim i gabuar i Declan Rice çoi te goli i dytë i Kosovës.

Pastaj, Harry Maguire, i cili javën e kaluar u akuzua nga Roy Keane se nuk është mbrojtës mjaftueshëm i mirë, e bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Vedat Muriqit brenda 16-metërshit dhe kosovari u tregua i saktë nga 11-metërshi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart