Ronaldo: Nuk dua të flas për Topin e Artë


Gazeta Express
11 Qershor 2019 10:48

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet nëse triumfi i Portugalisë kundër Holandës në Ligën e Kombeve do t’i ndihmojë atij ta fitojë Topin e Artë këtë vit.

Ylli portugez dhe rivali i tij i vjetër, Lionel Messi, e kishin fituar çdo Top të Artë për një dekadë, para se Luka Modrici t’i jepte fund këtij dominimi me triumfin e tij vitin e kaluar, transmeton Gazeta Express.

Sezoni mbresëlënës i Messit pritet t’ia japë përsëri argjentinasit Topin e Artë këtë vit, megjithatë kjo gjë do të varet edhe nga paraqitjet e tij me Argjentinën në Kupën e Amerikës këtë verë.

Për Topin e Artë të këtij viti në garë është edhe qendërmbrojtësi i Liverpoolit dhe i Holandës, Virgil van Dijk, i cili e ndihmoi klubin anglez ta fitojë titullin e gjashtë në histori të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, Ronaldo është kthyer gjithashtu në këtë garë pasi që me Juventusin e fitoi titullin e Serisë A, ndërsa kontributi i tij ishte vendimtar në triumfin e Portugalisë në Ligën e Kombeve.

Kur u pyet nëse fitorja në finale të Ligës së Kombeve e ndihmon atë ta fitojë Topin e Artë, ai u përgjigj: “Qëllimi i ndeshjes ishte të fitojmë dhe të luajmë mirë. Jo, unë s’dua të flas për Topin e Artë”. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart