Cristiano Ronaldo ka folur pas raportimeve që ai ka arritur marrëveshje me skuadrën e Arabisë Saudite, Al-Nassr, ku do të përfitonte për dy sezone 400 milionë euro
Është raportuar që 37 vjeçari e ka zgjedhur skuadrën nga Arabia Saudite për shkak se ata i kanë ofruar 200 milionë euro pagë në vit, duke nënshkruar kështu një marrëveshje dy vjeçare që fillon nga 1 janari i vitit 2023. Megjithatë, duke folur për media pas fitores 6-1 të Portugalisë kundër Zvicrës në Botëror në 1/8-ën e finales të martën në mbrëmje, Ronaldo ishte i shpejt për t’i refuzuar këto lajme.
“Jo, nuk është e vërtetë”, ka thënë ai për gazetarët kur është pyetur për këtë pas ndeshjes.
Pavarësisht fitores së bujshme të Kombëtares së tij kundër Zvicrës, Ronaldo luajti më pak se një çerek ore, kurse zëvendësimi bëri titujt e mediave gjithandej. Me Fernando Santos që e la kapitenin në bankë për një ndeshje të supozuar të vështirë, sulmuesi Goncalo Ramos bëri paraqitje prej super lojtari duke shënuar het-trikun e parë në këtë garë, për ta dërguar Portugalinë tutje pa kapitenin e tyre veteran.
Ramos ka shënuar më së shumti gola për Portugalinë në një fazë eliminimi direkt brenda 17 minutave (1) së sa Ronaldo që e ka bërë me 514 minuta lojë në fazë të eliminimit direkt (0).
Fitorja e së martës bën që Portugalia të përballet me Marokun në çerekfinale, të cilët mposhtën Spanjën në penallti. /GazetaExpress/