Ronaldo ftohet në gjyq për akuzën për përdhunim nga ish-bashkëshortja e një shqiptari


Gazeta Express
24 Maj 2019 10:53

Cristiano Ronaldo pritet të ftohet në gjyq për t’u përballur me akuzën për përdhunim nga Kathryn Mayorga, e cila më herët kishte qenë e martuar me një shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Para tetë muajve, Kathryn Mayorga e akuzoi Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar në orët e hershme të 13 qershorit të vitit 2009, në Las Vegas, pasi ishin takuar në një klub nate, transmeton Gazeta Express.

Menjëherë, avokatët e Mayorgas filluan ta kërkonin adresën e superyllit portugez, pasi policia e Las Vegasit e rihapi këtë rast. Ekipi ligjor i Ronaldos ka tentuar t’i shmanget këtij procesi dhe dokumentet gjyqësore tregojnë se ata nuk kanë ndihmuar në gjetjen e vendndodhjes së shtëpisë.

Por, tani është gjetur adresa e shtëpisë së 34-vjeçarit në Torino, përmes dokumenteve ligjore të pronësisë. Gjatë javëve në vazhdim, sapo të përkthehen të gjitha dokumentet, avokatët e Mayorgas do t’ia dërgojnë Ronaldos thirrjen për gjyq.

Njëri ndër përfaqësuesit e Ronaldos nuk pranoi ta komentojë këtë rast mbrëmë për The Sun, mirëpo insistoi se pretendimet e Mayorgas janë “plotësisht të rreme”.

Mayorga, atëherë 25-vjeçare, e kishte raportuar sulmin në policinë e Las Vegasit. Ajo nuk e kishte identifikuar Ronaldon me emër sepse kishte thënë se ai ishte figurë publike dhe i frikësohej portugezit. Ajo ishte dërguar në spital dhe ishte hetuar nëse ka shenja përdhunimi.

Gjatë muajve në vazhdim, sipas avokatëve të Mayorgas, hetues privat të Ronaldos e kishte gjetur amerikanen dhe i kishin mbajtur shënim të gjitha lëvizjet e saj. Ajo gjithashtu pretendon se avokatët e Ronaldos e kishin detyruar atë të nënshkruante një dokument.

Në atë dokument, Mayorga premtoi se nuk do të fliste kurrë publikisht për incidentin dhe në shkëmbim i mori 375 mijë dollarë. Këtë dokument u nënshkrua edhe nga Mayorga edhe nga Ronaldo në janar të vitit 2010.

Në vitin 2017, gazeta gjermane Der Spiegel e publikoi një artikull ku Ronaldo akuzohej për përdhunim, mirëpo emri i Mayorgas ishte lënë anonim. Shumë prej informatave të gazetës ishin siguruar nga dokumente dhe mesazhe që ishin siguruar nga Football Leaks.

Agjenti i Ronaldos i mohoi menjëherë këto lajme, mirëpo asnjëherë nuk e paditi as Der Spiegelin e as Mayorgan për shpifje.

Në shtator të vitit 2018, Der Spiegel e publikoi edhe një tjetër artikull, këtë herë duke e treguar rrëfimin e plotë të Mayogas, e cila e zbuloi edhe identitetin e vet. Në atë artikull, Maryoga shpjegon në detaje se si Ronaldo e kishte sulmuar dhe çfarë kishte ndodhur me të në vitet në vijim.

Der Spiegel i zbuloi edhe disa dokumente të këtij rasti, të cilat përfshinin deklarata të dhëna nga Ronaldo. Në këto dokumente, portugezi e kishte pranuar se kishte qenë i ashpër me Mayorgan dhe se ajo i kishte thënë jo disa herë, para se ta dhunonte.

Avokatët e Ronaldo, por edhe vetë portugezi, e kanë mohuar këtë lajm disa herë. Megjithatë, për shkak të dokumenteve të besueshme të publikuara, policia e Las Vegasit i ka rihapur hetimet për këtë rast.

Po ashtu, Mayorga e ka paditur Ronaldon. Ajo do ta paditë yllin e Juventusit jo vetëm për përdhunim, por edhe për presionin që ia kishte bërë më vonë dhe përcjelljen përmes hetuesve privat. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart