Ronaldinho i jep shpresa Man Unitedit para përballjes me Barcelonën


Gazeta Express
15 Prill 2019 23:59

Ronaldinho ka paralajmëruar Barcelonën para përballjes në “Camp Nou” me Manchester Unitedin. Ai beson se dy skuadrat kanë shanse të mira për të kaluar në gjysmëfinale të Champions League, kuptohet favorit numër një janë vendasit. Barça kërkon gjysmëfinalen për herë të parë pas tri viteve, kurse Manchester pas më shumë se 5 viteve.

Ish futbollisti brazilian, Ronaldo de Assis Moreira, i njohur si Ronaldinho Gaúcho apo thjesht Ronaldinho, ka folur rreth ndeshjes së kthimit në Ligën e Kampionëve mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit, që do të zhvillohet të martën në “Camp Nou: nga ora 21:00, raporton Gazeta Express.

Ronaldinho beson se Barcelona e Ernesto Valverdes do të fitojë dhe do të kalojë në gjysmë finale të Champions Legaue.

Megjithatë ai ka paralajmëruar ish-skuadrën.

Legjenda e futbollit pranon që ekipi i drejtuar nga Ole Gunnar Soljskaer ka shanse për të kaluar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, dhe se mënyra më e mirë për të bërë këtë është që të shënojë një gol të hershëm.

“Nëse United shënon golin e parë, njerëzit në stadium do të nervozohen dhe pastaj nuk dihet se çka do të ndodhë”, tha ai.

“Me një epërsi 1-0, Manchesteri ende beson në rikthim”, shtoi Ronaldinho.

Përkundër se thotë se të dyja skuadrat kanë shanse të barabarta, ai beson se ekipi vendas ka një stil të lojës me të cilin mund t’i vendosë ndeshjet.

“Me mënyrën se si Barça luan, dhe me numrin e golave që ata kanë shënuar këtë sezon, unë pres që ata të vazhdojnë tutje”, thotë ikona e futbollit brazilian dhe Barcelonës.

Ronaldinho ka bërë 207 paraqitje me fanellën e Barcelonës dhe ka shënuar 94 gola, kurse ka realizuar 33 herë në 97 ndeshje me Brazilin. Nëse ekipi i Ernesto Valverdes arrin fitore eventuale të martën mbrëma, do të thyente ecurinë e keqe të klubit që është eliminuar tre sezonet e fundit në fazën çerekfinale. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart