Rilindja Demokratike ‘masakron’ Jozefina Topallin: Pastruesja e njollave, figurë e shpërfytyruar


Gazeta Express
14 Gusht 2019 23:03

Gazeta zyrtare e PD-së “Rilindja Demokratike” ka sulmuar ashpër këtë të mërkurë ish- kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila lëshoi një sërë akuzash në drejtim të Lulzim Bashës në lidhje me çështjen e nxehtë të këtyre ditëve, fatin e bashkisë së Shkodrës dhe dënimin e fshehur të kandidatit të saj, socialistit Valdrin Pjetri.

Në një artikull të sajin, RD e cilëson Topallin një figurë tashmë të shpërfytyruar, e cila është kthyer në pastruesen e mëkateve të qeverisë Rama. Sipas RD-së, Jozefina Topalli përdoret nga kryeministri Rama.

“U shfaq sërish Jozefina. Ajo që nuk flet ansjëherë par hallet e shqiptarëve, por kujtohet sa herë ka hall Rama. Sa herë i del ndonjë kriminel, ajo shfaqet me telekomandën e Kryeministrisë dhe si një robot përcjell në facebook statuset që i shkruajnë oborrtarët në qeveri.

Një shpërfytyrim i asaj që ka pasur të gjitha privilegjet e pushtetit të PD dhe tani mundohet të kapë çfarë të mundet nga regjimi kriminal duke u kthyer një pastruese të njollave të kreut të organiztaës kriminale. Përpiqet të hiqet si mbrojtëse e të djtahtës shkodrane në një kohë që kur ishte atje ku ishte në pushtet shkonte në Shkodër dhe kërkonte të majtët, se të djathtët mendonte se i kishte në xhep. E mbushi administratën e Kuvendit me të majtë nga Shkodra dhe në krye të institucioneve kryesore të Shkodrës vendoste ata pak të majtë që ti kërkoje me qirinj nuk i gjeje në Shkodër.

Rama e tundi sërish sot Jozefinën nga gjumi letargjik për të hequr sado pak vëmendjen nga kriza e rëndë në të cilën ndodhet dhe bomba që i ka shpërthyer me trafikantit të rradhës të drogës që e emëroi në krye të Bashkisë së Shkodrës. Jozefina që mundohet të bëjë opozitën e opozitës pa kuptuar se përtej luksit të saj të siguruar nga privilegjet e pushtetit të djeshëm dhe regjimit të sotëm, ka një popull që nuk jeton si ajo dhe që të vetmin shpëtim e shikon tek largimi i së keqes.

Jozefina e ka kuptuar se tani është një kartë e djegur, se askush nuk i shkon më pas dhe se koha e saj ka perënduar një herë e mirë ndaj ka venosur ti ngjitet nëpër këmbë kreut të qeverisë për të kapur çfarë të mundet. Mirë e bën. Kap çfarë mund të kapësh, por vetëm shpejt se nuk i dihet, dhe ndoshta nga Tetori nuk do të kesh më çfarë të kapësh.”-shkruhet në artikullin e RD./Express

Te fundit


Kthehu lart