Rikthehet intervista në burgun e Pozharevcit – Kurti e Haradinaj me fjalë të ashpra për njëri-tjetrin - Gazeta Express
string(99) "rikthehet-intervista-ne-burgun-e-pozharevcit-kurti-e-haradinaj-me-fjale-te-ashpra-per-njeri-tjetrin"

Rikthehet intervista në burgun e Pozharevcit – Kurti e Haradinaj me fjalë të ashpra për njëri-tjetrin

Gazeta Express

28/05/2020 13:35

Një paraqitje para mediave, në janar të vitit 2000, kur Albin Kurti po mbahej në burgun e Pozharevcit në Serbi, është rikthyer në debatet e ashpra të skenës politike. Si arriti vetëm Kurti të flasë nga burgjet e Serbisë? Këtë pyetje e ka bërë edhe presidenti Thaçi dikur, e mbrëmë e riaktualizoi Ramush Haradinaj duke thënë se pse nuk ishin lejuar ta bëjnë këtë Adem Demaçi apo Ukshin Hoti. Ndërkaq, kryeministri në detyrë i cili rreth kësaj interviste ka dhënë sqarime edhe më herët, sot ka thënë se regjimi i vjetër po “shpurdh” dhe se në burgun serb s’ka pasur të privilegjuar por maltretime.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Në vendlindjen e Sllobodan Millosheviqit, në Pozharevc të Serbisë, Albin Kurti po mbahej në burg bashkë me disa shqiptarë të tjerë, pas përfundimit të luftës në Kosovë. Nga aty ai ishte deklaruar për media, ku akuzonte regjimin e Millosheviqit e liderin famëkeq serb e quante “mbeturina e fundit e fashizmit”.

Këtë paraqitje për media, e ka përmendur më herët presidenti Hashim Thaçi, e mbrëmë për atë e riaktualizoi edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj.

Haradinaj hedh dyshime se si vetëm Kurti arriti të fliste nga të gjithë veprimtarët shqiptarë në burgjet e Serbisë.

“Qasja majtiste e Kurtit është pro-sllave. I vetmi zotëri Kurti ka dhënë intervistë nga burgu në Serbi. Ai ka mundur të përfaqësojë UÇK-në nga Prishtina. I kanë rrah shumë figura, e kanë mbytur Fehmi Aganin pa qenë UÇK. Pse me marrë zëdhënësin e UÇK-së edhe me dalë në intervistë”, ka thënë Haradinaj mbrëmë në Rubikon.

“Pra, edhe këshilltar i tij i ka fyer vlerat e luftës. A del ndonjë këshilltar i Angela Merkelit të flasë në emër personal të tij? A ka mundur që Adem Demaçi të japë intervistë në burg, a ka mundur të japë intervistë Ukshin Hoti? Cili nga armiqtë e Serbisë ka dhënë intervistë? Intervista mund të jetë edhe rastësi, por si ka mundësi t’i ndodhë atij që ashtu të dalë edhe të japë intervistë”, tha ai.

Kurti, tri ditë para zgjedhjeve të tetorit, në Pressing kishte rrëfyer rrethanat e intervistës që ai e dha në burgun e Pozharevcit, ku ndër të tjera, kryeministri i tanishëm i Kosovës i ishte drejtuar ministrit serb të Drejtësisë, që ishte i pranishëm aty dhe i kishte thënë se nuk flet me të.

Kurti kishte treguar në T7 se gazetarët nuk kishin hyrë në burg për ta intervistuar atë, po dikë tjetër për kushtet në burg. Sipas Kurtit, një nga gazetarët e huaj e kishte njohur atë sepse e kishte parë një muaj më parë në Gjykatën e Nishit dhe ishte nisur bashkë me kolegët e tij për ta intervistuar Kurtin.

“Ata nuk kishin ardhur të më intervistonin mua. Ata kanë hy në oborrin e burgut. Unë e vërejta që atë ditë ushqimi ishte më i mirë. Një gjellë e trashë, jo aso supe të hollë me lakra të tharta, po ish një gjellë e trashë. Ata na lanë që mos me ecë në rreth në shëtitje, po në mesin e vet. Unë mendova që po vjen Kryqi i Kuq. Kur vinte Kryqi i Kuq ndërkombëtar, atë ditë hanim pak ma mirë… Edhe e pashë që hyri një numër i madh i gazetarëve me kamera prej atje. E kishin një kordon të gardianëve. E mua një prej gazetarëve të huaj nuk e di kush ka qenë…. ata kanë dashtë me shku te ambulanca ku i kanë pasur dy shqiptarë të përgatitur për me dhanë intervistë e për të folur rreth kushteve e burgut. Edhe njëri prej gazetarëve ndërkombëtarë më ka njohur mua, sepse më ka pa në gjyq 1 muaj e gjysmë më herët në Nish. Në gjyq s’janë leju kamerat, po ai më ka njohur. Edhe ai komplet këtë shpurën e gazetarëve e ka sjellë në drejtim timin. E ky kordoni i gardianëve u ndodhën në siklet nuk dinin se çka me ba. Ata nuk mundën me e mbajtë kordonin, hynë brenda. Nuk e kam ditur që është edhe ministri i Drejtësisë. Ata insistojshin që me folë për kushtet e me lavdëru gjellën e trashë të asaj dite. Edhe ata m’i sollën mikrofonat para goje. Çka me bo unë me heshtë”, rrëfen Kurti.

Albin Kurti, janar 2000

Ndërkaq, presidenti Thaçi paraqitjen para mediave të Kurtit, e kishte përmendur një herë në Kuvend, gjatë përplasjeve me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2012.

“Asnjë të burgosurit politik nuk i është mundësuar ajo që ju është mundësuar juve. Unë kam lobuar që ju të liroheni nga burgu, por jo e dini shumë mirë se të tjerët janë rrahur, torturuar, masakruar, mbytur. Është fat që juve nuk ju ka ndodhur, por asnjë të burgosuri politik nuk i është organizuar konferencë për shtyp për marketing politik që u ka bërë Qeveria e Daciqit”, ka thënë Thaçi gjatë një përplasje me Kurtin në Kuvend gjatë një seance të vitit 2012.

Në ditën kur Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës, një i burgosur politik që kishte qenë në burg në Pozharevc, kishte treguar se deklarimi i Kurtit para gazetarëve ishte i rastësishëm.

“Nuk ka qenë e organizuar, që njerëzit e cilësojnë, pasi folëm për burgun e Pozharevcit. Gjatë shëtitjeve që i bënin nganjëherë, në kohën e ardhjes së Kryqit të Kuq dhe delegacioneve, aty vetëm një prej tyre e njohu Albinin, ishte një gazetar. Albini ishte figurë publike pak më e njohur. Dikujt i ka lënë përshtypje, nuk dinin kënd me marrë në pyetje, xhironin burgun, objektin, edhe një gazetar shkoi te ai, shkuan edhe të tjerët, shkoi edhe ministri”, kishte thënë Arben Bobani, ish-i burgosur në burgun e Pozharevcit, për Telegrafin, në shkurt të këtij viti.

Kurti duke iu përgjgjur sot Haradinajt tha se nuk ka qenë i privilegjuar në burg, e që shtoi se të gjithë të burgosurit shqiptarë janë maltretuar.

“Për besë nuk e di çka të përgjigjem, ka pasë shumë të burgosur, e dinë që s’ka pasur të privilegjuar më së paku unë. Të gjithë të burgosurit e ne shqiptarët më së shumti jemi maltretuar, kur vinte puna te unë e te ndonjë tjetër ajo dyfishohej për shkak të rolit aktiv, këtë e kam dëgjuar te presidenti. Ne jemi duke u përpjekur për shëndetin e ekonomisë, demokracisë. Tash ky regjimi i vjetër po shpurdh në studio televizive”, ka thënë ai. /Express/