Rikthehet Çmimi letrar “Kadare” - Gazeta Express
string(29) "rikthehet-cmimi-letrar-kadare"

Arte

Gazeta Express

14/12/2020 15:16

Rikthehet Çmimi letrar “Kadare”

Arte

Gazeta Express

14/12/2020 15:16

I zhvendosur për shkak të pandemisë Covid 19, rikthehet Çmimi letrar “Kadare” në edicionin e tij të gjashtë, për të shpallur në 28 shkurt 2021 autorin shqiptar fitues në gjininë e prozës

Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.

Lexo Edhe:

I mbështetur nga Fonadacioni “Pashko”, projekti i Çmimit “Kadare” do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit më 28 shkurt 2021, në ditën e fundit të Shkollës Dimërore të Humaniteteve e cila do të mbahet në Llogara.

Ndërsa, për shkak të kushteve të pandemisë ka ndryshuar kalendari kohor i mbajtjes së këtij aktiviteti, procedura mbetet e njëjta, si edhe qëllimi i tij për nxitjen e lëvrimit të prozës shqipe nga autorët shqiptarë brenda dhe jashtë kufirit.

Juria e këtij edicioni të gjashtë, do të kryesohet nga shkrimtari i mirënjohur, autor i shumë veprave në prozë, poezi, publicistikë dhe zë me peshë në komunikimin publik në vend Preç Zogaj, ndërsa në përbërje të saj do të jenë profesori i nderuar i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, mendimtar dhe publicisti i spikatur Blerim Latifi; shkrimtari i ri, por i afirmuar tashmë në stilin e tij të veçantë letrar Loer Kume, shkrimtari Ermir Nika, me disa botime në prozë dhe poezi, njohës me përvojë në fushën e Letrave Shqipe dhe drejtues i Departamentit të Arteve në UET; si edhe drejtuesja e shtëpisë botuese UET Press, njëkohëshisht edhe koordinatore e këtij Çmimi, znj.Suela Bala.

Konkursi hap siparin sot duke ftuar autorët shqiptarë që dëshirojnë të jenë pjesë e tij, të dorëzojnë në adresën e email-it [email protected], deri më 17 janar 2021, një sinops (jo më shumë se dy faqe) mbi veprën e shkruar, bashkangjitur me 15 faqet e para të dorëshkrimit. Nga sinopset dhe dorëshkrimet e mbërritura pranë jurisë, kjo e fundit pas shqyrtimit me kujdes të secilës prej tyre, do të zgjedhë vetëm 10 për të qenë pjesë e garës së çmimit “Kadare”.

10 autorët e përzgjedhur për të vazhduar garën do të shpallen në 1 shkurt dhe duhet të dorëzojnë dorëshkrimet e plota të veprës së tyre, pranë adresës së bërë publike nga juria brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues.

Në 22 shkurt 2021 juria do të shpallë 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit, të cilët do të vijojnë garën për çmimin e madh.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve në Llogara, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

Autori, fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.

Juria fton dhe nxit autorët shqiptarë të bëhen pjesë e këtij konkursi, duke iu përmbajtur termave të aplikimit, me përgjegjësinë e një vlerësimi objektiv e të kujdesshëm të dorëshkrimeve të paraqitura, për të mbërritur në autorin dhe veprën fituese e cila do të njohë dritën e botimit përmes Shtëpisë Botuese UET Press, në kolanën “Leteratura”.

***
Përgjatë këtyre 5 viteve, ky çmim ka pasur meritën jo vetëm në krijimin e një gare motivuese për më shumë se 200 autorë që kanë marrë pjesë në të, por dhe në kultivimin e një debati mbi letërsinë, duke u shndërruar kështu në një projekt të gjerë kulturor që synon të gjallërojë, të nxisë dhe të ruajë interesin për letërsinë bashkëkohore shqipe.

I krijuar në vitin 2015, Çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare”, Klubi Letrar “Kadare”,

Ditët Letrare të Razmës, suplementi letrar “Leteratura”, që çdo të hënë del bashkë me gazetën “Liberale”, kolona “Leteratura” pranë botimeve UET PRESS kushtuar botimit të letërsisë shqipe, bursat “Kadare” për humanitetet në UET. Të gjitha këto iniciativa me një histori të tyren, kanë treguar se kanë pjesë të filozofisë së tyre mbështetjen e kulturës shqipe. Si të tilla, ato janë kontributore të rëndësishme, që edhe pse vijnë nga një ent privat, mveshin një mision publik.

Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. Juritë tona në këto vite janë kryesuar nga emra të njohur në hapësirat letrare shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën (Mehmet Kraja), Maqedoninë (Kim Mehmeti), apo shkrimtarë si Bashkim Shehu, Diana KAstrati, etj. Serioziteti me të cilin është trajtuar gjykimi i dorëshkrimeve (pasi ky është një konkurs për dorëshkrime), duke ua besuar leximin dhe gjykimin autoriteteve të fushës, rrit kredencialet dhe besueshmërinë e këtij çmimi. Këtë e ka treguar dhe numri i autorëve në rritje që nga viti në vit i bashkohen këtij konkursi.

Përmes këtij konkursi krijohet një tablo e plotë letrare me jo vetëm prurjet e një viti, por dhe nivelin e letërsisë që shkruhet sot, autorët në rritje, e sidomos të rinjtë.

Një nga meritat e këtij çmimi është motivimi i autorëve të rinj. Përgjatë këtyre viteve kanë dalë në sipërfaqe emra që përmes konkurrimit në këtë Çmim, kanë arritur të evidentohen, motivohen e të vijnë me librat e tyre të parë. Shpesh niveli i të rinjve ka qenë befasues, këtë e tregoi dhe edicioni i vitit 2019, i cili shkoi për një përfaqësues të një gjenerate të re.

Për herë të parë një konkurs i dedikuar dorëshkrimeve, pasuron letërsinë e një vendi çdo vit me një vepër të re të botuar. Përgjatë pesë viteve janë botuar pesë romane nën kolonën “Leteratura” të botimeve UET PRESS, duke u bërë pjesë e qenësishme e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Për një çmim letrar që ka vetëm pesë vite jetë, jo vetëm këto por dhe një sërë kontributesh të tjera që ky çmim jep në jetën e çdo autori që i është bashkuar këtij konkursi, mbart një vlerë të çmuar për botën kulturore në vend.

***

Autorët dhe veprat fituese të Çmimit “Kadare” prej vitit 2015, kanë qenë:

Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”. “Loer Kume, përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes ne letërsi”, ishte motivacioni i këtij çmimi.

Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari e cila zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë, në lëmin e kritikës letrare dhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm. Muçi u vlerësua me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave”, me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor”.<►>

970Z9268
970Z9268
loer kume
shkelqim cela
virgjil-muci-1
Rudolf Marku FOTO me cmimin

Shkrimtari Musa Ramadani është fitues i Çmimit Letrar “Kadare” 2017, me romanin “Profeti nga Praga”. Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, “për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe.”

Fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimitari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon në këtë roman fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor, duke i dhënë kësaj vepre atributet e letërsisë pa kufinj gjeografikë. /Gazeta Liberale