Rikthehet Andin Rashica, rikthehen trofetë në Prishtinë - Gazeta Express
string(54) "rikthehet-andin-rashica-rikthehen-trofete-ne-prishtine"

Rikthehet Andin Rashica, rikthehen trofetë në Prishtinë

Moral Pozhegu

26/10/2020 14:46

Rikthimi i Andin Rashicës në krye të shtabit teknik ia ka dhënë të mbarën Sigal Prishtinës. Bardhekaltrit, të drejtuar nga trajneri i ri kosovar dhe me 100 për qind lojtarë vendorë, e fituan Superkupën e Kosovës. 30 vjeçari i falënderon ata që e mbështetën dhe i besuan pasi e fitoi trofeun e dytë si trajner i parë. Ai beson se prishtinasit do të jenë të fuqishëm edhe në sezonin 2020/2021 të Superligës së basketbollit

Klubet e basketbollit në Kosovë vazhdimisht marrin lojtarë dhe trajnerë të huaj, përmes së cilëve synojnë të fitojnë trofe dhe të luajnë në garat evropiane, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Mirëpo, Sigal Prishtina në këtë fillim sezoni vendosi t’ju besojë 100 për qind vendorëve.

Krahas lojtarëve, Bardhekaltrit ia besuan sërish pozitën e kryetrajnerit, Andin Rashicës.

Dhe, llogaritë e tyre dolën të jenë të sakta, të paktën deri tash.

Trajneri i ri kosovar bëri sensacion në garat e Superkupës, ku kishte në dispozicion vetëm lojtarë vendorë, kryesisht të rinj.

Dhe, Rashica diti ta menaxhonte për mrekulli ekipin që e kishte në dispozicion duke e fituar kështu trofeun e Superkupës pasi e mposhti në finale Bashkimin me rezultat të ngushtë 74:73.

Ky ishte trofeu i dytë për Rashicën si kryetrajner pas Kupës së Kosovës, të cilën e kishte fituar me kryeqytetasit në vitin 2018.

Suksesi i fundit e ka ngritur në qiell 30 vjeçarin.

“Nuk e kam pritur se do të ketë trofe që do të më gëzonte më shumë se ai i vitit 2018. Jam tepër i lumtur, sidomos për faktin se kjo është arritur me krejt lojtarë vendorë, plus lojtarë të rinj të kryeqytetit”, thotë fillimisht Rashica në një bisedë me Gazetën Express.

Natyrisht, për të arritur deri tek trofeu i Superkupës nuk ka qenë aspak e lehtë për prishtinasit, marrë parasysh faktin se ekipet tjera janë përforcuar me lojtarë të huaj.

“Me katër javë përgatitje nuk ka qenë e lehtë për asnjë skuadër. Mirëpo, ne kemi ushtruar shumë gjatë kësaj kohe. E kemi ditur që ekipet tjera janë përforcuar shumë dhe se nuk do ta kemi aspak të lehtë me to. Ende nuk jemi gati, mirëpo e kemi një ekip që ka potencial”, shton Rashica, i cili ishte ndihmës i trajnerit Antonis Constantinides kur prishtinasit në vitin 2016 e kishin fituar titullin e kampionit të Kosovës, Kupën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike.

Por, çka e veçoi ekipin prishtinas në krahasim me shtatë skuadrat tjera që morën pjesë në këtë garë!

“Na veçoi qetësia, e cila na i menaxhoi gabimet e tepërta të cilat janë normale pasi që ekipi s’është komponuar ende. Na veçoi shpirti luftarak i djemve të rinj që u ndihmua nga përvoja e Edos, Fisit, Altinit dhe Arianit”, shton tutje Rashica.

Atë e gëzon fakti që ekipi prishtinas ia doli të korr sukses me lojtarë vendorë, ndërkohë që këshillon që të punohet më shumë me “brumin vendor” për të arritur suksese më të mëdha në garat evropiane.

“Por ndodh për herë të dytë, po ndodh nga ekipi që kritikohet më së shumti prë sjelljen e lojtarëve dhe trajnerëve të huaj. Sigal Prishtina është ekip që ju jep hapësirë lojtarëve të rinj, po ashtu edhe vendorëve. Mirëpo, na duhet ende shumë punë për të pasur më pak të huaj në garat ndërkombëtare”, nënvizoi Rashica, i cili në të kaluarën ishte ndihmës i trajnerëve Arben Krasniqi dhe Fikret Shatri, ndërsa një kohë kishte luajtur edhe vetë basketboll.

Por, a është e gatshme Sigal Prishtina ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës pasi shkëlqeu në Superkupë?

Në këtë rast, Rashica nuk e ka ndërmend të japë premtime dhe fjalë të mëdha pasi qëndron si gjithmonë me këmbët në tokë dhe është realist.

“Ende nuk jemi gati, na duhet shumë punë. Kjo kupë do të jetë motiv për ne. E dimë se do të jetë shumë e vështirë, por besoj se angazhimi i jonë do të shpërblehet prapë”, vijoi Rashica.

Ai nuk i harron asnjëherë ata që e mbështetën vazhdimisht dhe që ia besuan këtë pozitë.

“Falënderoj klubin, kryesinë, në veçanti Blerand Stavilecin, i cili sidomos në javën e Superkupës, përkundër angazhimeve, më ka ndihmuar me këshillat e tij. E falënderoj po ashtu edhe Florian Miftarin për sugjerimet”, tha ndër të tjera Rashica.

Në fund, ai e ka një dedikim për trofeun e fundit, të cilin e fitoi fundjavën që shkoi.

“Trofeu i dedikohet kompanisë Sigal, që edhe në kohë pandemie është afër nesh dhe tifozëve ‘Plisat’, të cilëve besoj që shumë shpejt do t’ju lejohet t’i kemi në sallë për të na përkrahur”, përfundoi Rashica.

Me punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, të cilin e ka përvetësuar falë punës dhe bashkëpunimit me trajnerë dhe ekspertë të huaj, Rashica është një garanci dhe një pasuri për Sigal Prishtinën, por edhe për basketbollin kosovar në përgjithësi. /Gazeta Express/