Në Shqipëri, Partia Demokratike ka zhvilluar një protestë përballë kryeministrisë dhe kuvendit. Gjatë kësaj proteste, ndër ata që morën fjalën ishte edhe lideri i kësaj partie, Sali Berisha.
Pas fjalimeve të mbajtura, situata u tensionua përderisa protestuesit përdorën molotovë e fishekzjarrë, ndërsa në anën tjetër, policia përdori gaz lotsjellës.
Kjo protestë ka marrë vëmendjen e Retuers, e cila ka raportuar rreth zhvillimit të saj, përcjell Express.
Në raportimin e Reuters thuhet se, ‘’ Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e posaçme e prokurorisë ngriti aktakuzë ndaj zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuar në tenderë publikë për projekte të mëdha infrastrukturore’’.
Raportimi i Reuters:
Akuzat për korrupsion nxisin përplasje në Shqipëri mes policisë dhe protestuesve
Policia në Tiranë hodhi gaz lotsjellës dhe përdori topa uji të premten gjatë përplasjeve me protestues të opozitës, të cilët kërkonin dorëheqjen e qeverisë shqiptare pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres.
Protestuesit hodhën bomba molotov dhe fishekzjarre drejt zyrës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e posaçme e prokurorisë ngriti aktakuzë ndaj zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuar në tenderë publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizim të kompanive të caktuara – akuza që Balluku i mohon.
Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike në opozitë brohorisnin “Rama ik” dhe “Rama në burg”, duke mbajtur flamuj shqiptarë dhe të partisë.
“Ditët e Edi Ramës janë të numëruara,” tha lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Le ta dinë se edhe nëse fshihen pas diellit, ne do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me gjithë forcën e ligjit.”
Një gjykatë kundër korrupsionit e ka pezulluar Ballukun nga detyra, por Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit, ka kërkuar që parlamenti t’ia heqë imunitetin për të mundësuar arrestimin e saj.
Partia Socialiste e Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi mandatin e katërt radhazi, ka një shumicë të rehatshme parlamentare dhe mbetet e paqartë nëse dhe kur Kuvendi do t’ia heqë imunitetin Ballukut, e cila ka shërbyer edhe si ministre e Infrastrukturës dhe është një aleate e afërt e kryeministrit.
Rama është ankuar për tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit, veçanërisht në lidhje me paraburgimet.
Shqipëria synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, por blloku ka theksuar se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.