Republika në terr, Kurti ua bën qytetarëve 6 me 2 - Gazeta Express
string(48) "republika-ne-terr-kurti-ua-ben-qytetareve-6-me-2"

Republika në terr, Kurti ua bën qytetarëve 6 me 2

Lajme

Gazeta Express

15/08/2022 12:11

“Dimri i vështirë”, të cilin e kishte paralajmëruar ministrja Rizvanolli sivjet erdhi herët. Nga mesi i gushtit do të ketë reduktime të rrymës. Drunjtë e peleti tashmë janë shtrenjtuar. Fati është në duar të termocentraleve të plakura, të cilëve Kryeministri Kurti ua numëronte vitet.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Paralajmërimi se Kosova do të mbulohet me terr, mbylli temën e mbulimit të vajzave në shkolla. Hapja e çështjes së shamisë, nga shumëkush, shihet si tentim për të devijuar vëmendjen në kriza që do të vinte, simptomat e së cilës u shfaqën më herët.

Kryeministri Albin Kurti, dimrin e kaluar, pati thënë se ose do të ketë reduktime, ose shtrenjtim të rrymës. Këtë dimër, pritet që në Kosovë të jenë të dyja.

KEDS njoftoi se nga sot nisin reduktimet e rrymës elektrike në nivel të vendit.

Sipas njoftimin të KEDS, konsumatorëve do t’u ndalet rryma, nga dy orë, çdo gjashtë orë, për shkak se nga sot (e hënë, 15 gusht) “vendi do të furnizohet vetëm me prodhim vendor”.

Tutje, kompania ka renditur humbjet që i ka pasur nga blerja e energjisë elektrike me çmime të larta.

Dimër i vështirë, opozita fajëson Qeverinë

Kreu i LDK’së Lumir Abdixhiku i cili akuzoi qeverinë se po fle i kërkoi Kurtit që qysh tash të nisë të blejë rrymë në mënyrë që qytetarët të mos heqin keq. Këshillën Kurtit ia dha duke alarmuar se reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do ta godasin secilën familje kosovare e secilin biznes.  “Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë” paralajmëroi Abdixhiku.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti thotë se tema si ajo e shamisë po hapen për t’u mbuluar keqmenaxhimi.

“Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore”.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reduktimin e nisur sot e sheh si paralajmërim për një dimër të rënduar.

“6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit”, ka shkruar Çitaku sot në Facebook.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, paralajmërimin për ndalje të rrymës, e quan “fushatë psikologjike të Qeverisë Kurti”.

“Paralajmërimi i reduktimeve në pikë të verës, është asgjë më shumë se paralajmërim i një fushate psikologjike të Qeverisë Kurti”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, me këtë dy orëshin po matet durimi, që në dimër reduktimet të jenë më të thella.

Refuzimi i mundësive për të pasur rrymë

Llogaritet se Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca, zakonisht importohet nga jashtë.

Ministrja Rizvanolli thoshte se po bëhen përpjekjet që ndërhyrjet në Termocentralet Kosova A dhe B të përfundojnë para dimrit.

Dhe, tani që KEDS njoftoi se do të shërbejë vetëm me prodhim vendor, shpresat mbesin te “performanca” e termocentraleve të vjetërsuara.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në reagimin e saj për reduktime, riktheu në vëmëndje refuzimin e projekteve që do të ndihmonin pavarësimin e Kosovës nga energjia jashtë.

“Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarsinë energjetike të Kosovës”, thuhej një një postim të Çitakut.

Opinionisti Agon Maliqi ka shkruar sot rreth historisë së refuzimit të burimeve energjetike, që prej pavarësimit të Kosovës.

Ai thotë se ishin refuzuar ndërtime të termocentraleve nga investitorë amerikanë e gjermanë. Arsyet, atëherë, sipas Maliqit, ishin të paqëndrueshme.

“Argumentet që dëgjoheshin në Kosovë në kundërshtim të projektit? Kosova duhet t‘i ketë prioritet burimet alternative të energjisë, që asokohe (për dallim prej sot) akoma nuk ishin ekonomikisht të arsyetueshme. Madje thuhej se kjo do të na pengonte integrimin në BE. Flitej edhe për cilësinë e ajrit, edhepse termocentralet e reja me teknologji të kohës do të ndotnin shumëfish më pak se dinosaurët e vjetër. Flitej për kapitalizmin e pashpirtë që do me na i vjedh burimet. Pra termocentralet ishin “e keqja e madhe.”

Përveç refuzimit të ndërtimit të termocentraleve të reja, Maliqi përmend edhe refuzimin e projektit amerikan për ndërtimin e gazsjellësit.

Shtrenjtimet

Vetëm pak ditë më parë, ministra e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, paralajmëroi vështirësitë që mund të vijnë në dimër.

”Dimri në të cilin po hyjmë, është dimër i jashtëzakonshëm. Sivjet çmimet që kemi parë në tregun e vitit të kaluar, veçse kanë ardhë në verë. Mund të gjendemi shumë lehtë në një situatë, kur Rusia e ndalon komplet qarkullimin e gazit, dhe mund të vie tek situata ku në tregun europian s’mund të ketë energji, pavarësisht prej çmimit”.

Çmimi i peletit dhe drurëve, që përdorën për ngrohje gjatë dimrit, veçse ka nisur të rritet. Ministrja Rizvanolli ka përmendur se do të merret me këto çmime.

”Duhet të kursejmë energji, sa i përket masave që po marrim si qeveri. Çmimi i peletit është çështje që preokupon qytetarët por na preokupon edhe neve si qeveri. Do të shohim edhe nga ana e rregullimit të çmimeve, është duke u përgatitur një rregullore për çmimet e produkteve esenciale”, tha Rizvanolli më 10 gusht.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, shkroi sot se “dimri mesjetar po na vjen”. Ai thotë se ndër të tjera, pritet dyfishimi i çmimit të rrymës.

“Dimër mesjetar po na vjen. Qeveria rrudhë krahët… as frigoriferi i famshëm s’do të ju ketë rrymë. Reduktimet e rrymës 6-2 në mes të gushtit. E në dimër? Dhe peleti mbi 400 euro. Dhe drunjtë drejt 100 euro. E kur s’punon KEK-u s’do të ketë as ngrohje qendrore. Çmimi i rrymës pritet të dyfishohet”, ka shkruar Mustafa.