Rënia e Valdrin Pjetrit, çfarë do të ndodhë me pushtetin vendor në Shkodër


Gazeta Express
14 Gusht 2019 16:35

Më 30 qershor kandidati socialist për bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri, nuk e pati shumë të vështir të fitonte bastionin e të djathtëve në një garë pa rivalë, por fitorja e tij tashmë duket diçka e largët dhe eventualisht e pamundur.

Publikimi i dokumentave autentikë nga ana e PD-së mbi të shkuarën kriminale të Valdrin Pjetrit, ia mbyllën thuajse përfundimisht derën e politikës, pasi Pjetri rezulton të jetë dënuar në Itali për drogë dhe këtë ‘detaj’ e ka fshehur në dokumentet e dekriminalizimit.

Por derisa autoritetet vendase dhe ato italiane të flasin mbi këtë çështje, karrigia e kryebashkiakut të Shkodrës do mbetet ‘pezull’. Por çfarë do të ndodhë me një ndër bashkitë më të mëdha të Shqipërisë, në rast se autoritetet faktojnë atë që tashmë ka dalë në dritën e diellit, se Valdrin Pjetri s’mund të jetë kryetar i bashkisë?

Situata duket e komplikuar sidomos kur sheh rreshtimin që forcat dhe faktorët politikë kanë në lidhje me krizën e posaçërisht për 30 qershorin. Në kushte normale, në bashkinë e Shkodrës do duhej të rikryheshin zgjedhje, por një skenar i tillë është larg së qeni i thjeshtë në kushtet kur 30 qershori njihet vetëm nga socialistët.

Demokratët ende nuk kanë ndarë me publikun qëndrimin politik që do të mbajnë për bashkinë e Shkodrës.

Nga ana tjetër Presidenti Meta është autoriteti i vetëm i cili do duhet të vendosë për një datë të re zgjedhjesh në Shkodër, por mbetet ende e paqartë nëse ai do ta vendosë një datë të tillë, në kushtet kur Kreu i Shtetit njeh 13 tetorin si të vetmen datë të ligjshme të zgjedhjeve vendore.

Gjithçka qëndron pezull, ndërkohë që Bashkinë e Shkodrës do ta “gëzojë” edhe për disa kohë kryebashkiakja aktuale Voltana Ademi, të cilës ironikisht nuk do t’i duhet asnjë pikë dhune për ta ruajtur bashkinë, pasi këtë “problem” i’a zgjidhën vetë socialistët./Express

Te fundit


Kthehu lart